Policia e Kosovës gati për zbatimin e masave reciproke për letërnjoftime ndaj Serbisë
Policia e Kosovës, bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës i cili ka të bëjë me kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore në zbatim të këtij vendimi.
Duke nisur nga data 1 gusht 2022, çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, do të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një dokument hyrje/dalje që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë.
Dokumenti hyrje/dalje do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.
Me qëllim të zbatimit të vendimit, mundësimit të pajisjes më të shpejtë me dokument hyrje/dalje për qytetarët që kanë nevojë, shmangies së pritjeve dhe mundësimit të qarkullimit më të lehtë kufitar, Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme në aspektin e burimeve njerëzore dhe teknike e logjistike.
Policia e Kosovës sipas detyrës do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet kompetente në interes të zbatimit të vendimit dhe të të gjithë qytetarëve pa dallime, shkruan kp.
Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror të Kosovës nga data 1 gusht 2022 me dokument identifikimi personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, do të pajiset me dokument hyrje/dalje.
Dokumenti për hyrje/dalje do të zëvendësojë dokumentin e identifikimit personal gjatë hyrjes dhe qarkullimit në territorin e Kosovës, si dhe për shfrytëzim në institucionet shtetërore të Kosovës.