Lajme

Tensionet në veri, analisti: Po cenohet siguria e Kosovës! Ish luftëtari i UÇK-së: Barrikadat janë vendosur nga grupet kriminale, të nxitur nga Vuçiq

Situata në veri të Kosovës vijon të jetë e tensionuar. Prej dy javësh veriu i Kosovës vijon të jetë i bllokuar nga barrikadat. Për analistin Agim Krasniqi kjo situatë shqetësuese ka kaluar nga përpjekje për marrëveshje në një çështje sigurie. Në “Shtypi i ditës dhe Ju”, në Report Tv me gazetarin Andi Kapxhiu, analisti u shpreh se 14 ditë barrikada paraqesin një problem për proceset e ardhshme.

“Nga një situatë me përpjekje për marrëveshje tani po kalon në çështje sigurisë. Çështja e barrikadave ka cenuar sigurinë e Kosovës dhe kjo paraqet një problem për proceset e ardhshme.

Veriu lidhjet me gjeopolitikën rajonale, ku aty përfshihen disa fuqi perëndimore. Dhe pikërisht ajo deklarata e Escobar, lidhet me deklaratën e ish presidentit të SHBA. Pikërisht këto deklaratat e Escobarit çuan mesazh te qeveria serbe. Manipulimet që i bëhet asaj përqindjeje serbe në veri të Kosovës janë presione edhe nga Moska.”- tha analisti Agim Krasniqi

Sa i përket menaxhimit të situatës nga qeveria Kurti, Krasniqi shprehet se mesazhi i Escobarit për mbrojtjen e shtetit të Kosovës është element që tregon ecurinë pozitive të qeverisë së Albin Kurtit.

“Në opinionin publik është dëgjuar se qeveria e Kosovës nuk po vepron në pajtim me ndërkombëtarët por është krejt e kundërta. Dhe kjo u duk qartë te mesazhi i Escobarit.”- tha ai.

Edhe për ish ushtarin e UÇK-së, Xhevdet Qeriqi situata në veri të Kosovës nuk po vjen nga qytetarët e thjeshtë me origjinë serbe, por nga grupet kriminale të cilët janë të nxitur nga Presidenti Vuçiç.

Xhevdet Qeriqi shprehet se ajo që duhet të bëjë tani qeveria e Kosovës është padyshim bashkëpunimi me faktorin ndërkombëtar, veçanërisht partnerin strategjik, SHBA.

“Vuçiç po nxit grupet kriminale në veri sepse dëshiron ta mbajë të tensionuar. Rusia përmes Serbisë po mundohet të shtrijë influencën deri në veri me anë të Beogradit.

Mendoj që qeveria e Kosovës duhet të veprojë në koordinim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare. Duhet të bashkëpunojnë ngushtë.

Mendoj se duhet ta vlerësojnë mirë situatën dhe çdo veprim ta bëjnë më koordinim të veçantë me SHBA. Në një moment të veçantë të marrin masa për t’i hequr barrikadat se pas atyre nuk janë qytetarët e thjeshtë por grupet e komanduara kriminale.”- tha Xhevdet Qeriqi.

Related Articles

Back to top button