Pas takimit me Kurtin në Bruksel, Vuçiq me tone ‘dramatike’: Luftova për të ardhmen e Serbisë! Bisedimet të vështira, por të suksesshme
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka bërë me dije se sot do të përgjigjet për të gjitha spekulimet dhe manipulimet të cilat sipas tij janë bërë nga opozita serbe lidhur me takimin e djeshëm që pati me Albin Kurtin në Bruksel.
Në videon e postuar në instagram, Vuçiq foli me tone ‘dramatike’ duke thënë se kishte luftuar për të ardhmen e Serbisë. Ai konfirmoi se pavarësisht vështirësisë, bisedime kanë qenë të sukesshme.
“Po analizoj çka ka ndodhur. Kemi luftuar aq sa ka qenë e mundur në ato kushte të vështira dhe kemi luftuar për të ardhmen e Serbisë në paqe, për vazhdim të investimeve për shtetin tonë. Dhe po ashtu unë e mbaj premtimin për Kushtetutën e Serbisë dhe Kosovën e Metohinë si pjesë të Serbisë”, ka thënë Vuçiqi. “Për ne, s’ka tjetër Serbi, e kemi një dhe do ta mbrojmë”, deklaroi presidenti serb.
Ditën e djeshme, pas një takimi maratonë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq deklaruan se ishin dakordësuar mbi tekstin e propozimit franko-gjerman që po cilësohet si marrëveshja bazë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Kosova u shpreh se ishte e gatshme për nënshkrimin e planit, por Serbia nuk pati këtë qëndrim.