Ndryshime të mëdha priten për të gjithë ata që fluturojnë brenda zonës Shengen
Deri më tani nuk ka pasur kontroll dokumentesh në fluturimet brenda zonës Shengen, nëse nuk llogaritet kontrolli i dokumenteve personale që kompanitë kontrollojnë gjatë hipjes.
Por së shpejti këto kontrolle duhet të bëhen më serioze. Siç raporton e përjavshmja Der Spiegel, kompanitë ajrore në të ardhmen duhet të mbledhin të ashtuquajturat të dhëna API, pra të dhëna për identitetin e pasagjerëve dhe t’i dërgojnë ato autoriteteve.
Ndonëse sipas projektligjit të përgatitur nga Komisioni Europian, nuk bëhet fjalë për kontrollet klasike të policisë kufitare, por për personelin e linjës ajrore, sërish ka frikë se në fund gjithçka do të zbresë në atë klasike “para Shengenit”. “Kontrolli me radhë dhe humbje kohe. Kohët kur ne thjesht shkonim te porta janë pas nesh,” tha Jan-Christoph Otjen, një përfaqësues i Partisë Liberal Demokratike Gjermane (FDP) në Parlamentin Evropian. Ai pret që të gjithë pasagjerët, edhe ata që udhëtojnë vetëm me bagazh dore, do të duhet të skanojnë një ID ose pasaportë në sportelin e kontrollit.
Politikani liberal shprehet i bindur se kontrolli i dokumenteve do të bëhet në sportel dhe jo gjatë hyrjes në avion. “Kompanitë kanë frikë se zbulimi i problemeve me dokumentet vetëm gjatë hipjes mund të çojë në vonesa të mëdha,” beson politikani liberal. Në këtë rast, është shumë më e thjeshtë për kompanitë që thjesht të udhëzojnë pasagjerët që të mbërrijnë herët për të kontrolluar dokumentet e tyre në tavolinën e kontrollit.