Lajme

Kosovë pa Albinin ka, pa Amerikën jo!

Në fakt nuk do të duhej të kishte një raport përjashtues mes një kryeministri të zgjedhur me votat e qytetarëve kosovarë dhe garantit më të madh të vetë egzistencës së Kosovës shtet të pavarur, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ja që edhe kjo përzirje e çuditshme, që konceptohej si e pamundur, mund të egzistojë në teatrin absurd të ngjarjeve të fundit mbi lumin Ibër. Ja që mund të ndodhë edhe ky aberracion gjeo-strategjik, kur vetë kryeministri i Kosovës i quan zyrtarët më të lartë amerikanë “naivë” dhe kur artikulon qetë dhe hapur idenë se shteti i tij mund t’ja dalë përballë Serbisë edhe pa ndihmën e ushtarëve të vendeve perëndimore! Paçka se është po ky kryeministër që në harkun e pak orëve e kthen pllakën, e fillon t’i lutet kujtdo në Perëndim që të thotë një fjalë për policët kosovarë të rrëmbyer nga serbët!

Në harkun e pak orëve Kosova po e provon konkretisht dhe në “lëkurën” e saj se sa sfidues dhe i komplikuar është sovraniteti e pavarësia ëndërrimtare e jashtë çdo lloj logjike, që kryeministri Albin Kurti po kërkon të arrijë, edhe prej perëndimorëve që e krijuan shtetin kosovar. I ka shpërfilluar ata duke mos ju dëgjuar thirrjet e përsëritura për paqe e dialog, ka heshtur kur dhjetra ushtarë të KFOR janë plagosur në emër të mbajtes me dhunë nëpër zyra të kryekomunarëve të tij, ka predikuar një Kosovë që papritmas duhet të jetë e baraslarguar nga të gjithë. Nga serbët po e po, por edhe nga ata që e themeluan me forcën e armëve në 1999.

Sovraniteti foshnjor që Albin Kurti kërkon sot prej Perëndimit i ka dhëmbët prej qumështi. Sepse një përplasje shfaqet në horizont në Veri a diku tjetër dhe menjëherë nisin thirrjet për ndihmë të qeverisë në Prishtinë.

Ajo që po ndodh me krizën e komunave po afirmon edhe një herë një koncept sa të thjeshtë aq edhe egzistencial për shtetin më të ri të Evropës: Kosovë pa Amerikën nuk ka! Ndërsa pa kryeministrin e radhës padyshim që ka e do të ketë. Aq e vërtetë është kjo saqë mjafton të shohësh sesi gjenerata e luftës gjendet sot para gjyqit, e megjithatë shteti vazhdon të egzistojë sepse mbrohet me bazat ushtarake e armët e Perëndimit. Kaq i thjeshtë është edhe naiviteti i hallakatjes së qeverisë aktuale në Prishtinë nëpër kallamishtet e sovranitetit të plotë dhe të pakushtëzuar.

Related Articles

Back to top button