Ndëshkimet nga Brukseli, opozita në Kosovë kërkon rrugë të reja pa Kurtin
Ka pesë ditë që Bashkimi Europian e ka njoftuar Qeverinë e Kosovës për disa masa ndëshkuese, që kanë ardhur si pasojë e mospranimit të kryeministrit Albin Kurti për t’i përfilluar kërkesat ndërkombëtare për shtensionimin e situatës në veri të vendit.
Siç i konfirmoi të shtunën një zëdhënës i BE-së, masat përfshijnë disa ndëshkime serioze.
“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të BE-së.
Zëdhënësi i Brukselit gjithashtu ka konfirmuar se programi i fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 është suspenduar gjithashtu.
“Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor”, kanë treguar nga BE-ja.
Kurti: Masat të padrejta, por ne e bëjmë punën tonë, do të vazhdojmë
Ndonëse ka disa ditë që është njoftuar me ndëshkimet e para nga Brukseli, kryeministri Albin Kurti vetëm sot foli për to.
“Këto nuk janë sanksione, por është e vërtetë që janë masa të përkohshme por të padrejta për shkak se Kosova dhe qeveria e saj janë edhe shteti edhe ekzekutivi më demokratik pro-europian dhe progresist. Në anën tjetër kemi një përballje të vazhdueshme me forma të ndryshme të agresionit të Serbisë që është shtet autokratik dhe pro-Rusisë dhe i paballafaquar me të kaluarën kriminale në hapësirën e ish-Jugosllavisë ku i ka shkaktuar katër luftëra”, tha Kurti.
“Sido që të jetë”, shtoi ai, “ne e bëjmë punën tonë”.
“…Por le të mos harrojmë që nuk mundemi të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit as me kushtetutshmërinë e vendit tonë, andaj ne do të vazhdojmë me zbatimin e programit tonë qeveritar dhe shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra ashtu që edhe mbështetja edhe ndihma europiane të jenë të plota për shkak se Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”, tha Kurti.
Shefi i Qeverisë tha se Kosova është e gatshme dhe e interesuar shumë, “më tepër sesa pala tjetër”, për “normalizim me njohje de facto në qendër”, por edhe për shtensionimin.
Opozita kërkon rrugë të re, pa Kurtin
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i ka thirrur anëtarët e Këshillit Drejtues të partisë për një mbledhje të hënën për të diskutuar “mbi gjendjen e rëndë në vend dhe për rrugën para nesh”.
“Mbi të gjitha, për vendimet dhe veprimet që i kërkon kjo periudhë sfiduese. Situata nuk është normale dhe nuk mund ta simulojmë normalitetin. Qytetarët kanë nevojë për qartësi në këtë kohë konfuzioni. Dhe një gjë është më se e qartë: Kosova nuk mund të mbetet edhe më tutje peng e tekeve të Albin Kurtit”, shkroi Krasniqi ndër tjerash në një reagim në Facebook.
Me veprimet e tij, Krasniqi tha se “ky kryeministër i papërgjegjshëm po e vendosë Kosovën në hartën e vendeve të sanksionuara ku, nga Evropa, bëjnë pjesë vetëm Rusia, Bjellorusia, Moldavia e Republika Srpska”.
Krytari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se “Albin Kurti dhe politika e tij nuk e bën dot Kosovën shtet evropian”, ndërsa shtoi se “Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht” dhe se “Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje”.
“Koha e fundit për një rrugë të re pa Kurtin dhe politikën e tij të izolimit”, shkroi Abdixhiku në reagimin e tij.
Ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka disa ditë që po kërkon rrëzimin e kryeministrin Albin Kurti dhe Qeverisë së tij me një mocion në Kuvend. Tash, kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj tha se “është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën, qofshin në opozitë ose edhe deputetë të shumicës, e ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie”.
“Hezitimi për të vepruar në kohë të një krize kaq të thellë e me pasoja të paimagjinueshme për vendin është bashkëfajësi. Mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, sot është interes kombëtar!”, shkroi ish-kryeministri.
BE-ja dhe SHBA-ja e shohin përgjegjës Kurtin për tensionimin e situatës në katër komunat veriore, pasi kryetarët e rinj shqiptarë atje u futën në objektet komunale me ndihmë të Policisë. Për këtë çështje u tha se Kryeministri s’i ka dëgjuar këshillat e Washingtonit dhe për pasojë, FSK-ja u përjashtua nga ushtrimi i madh ndërkombëtar i udhëhequr nga Ushtria Amerikane, “Defender Europe ’23”. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier kishte thënë se kjo ishte “pasoja e parë”, katër ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte paralajmëruar se veprimet e Qeverisë në veri “do të rezultojnë me pasoja në marrëdhëniet bilaterale me Kosovën”.