Lajme

Veriu i Kosovës drejt zgjedhjeve, largohet policia nga komunat

Të premten në mëngjes janë larguar edhe 25% e njësiteve të policisë së Kosovës nga hapësirat përreth dhe në objektet komunale në veri.

Në komunën e Leposaviqit kanë mbetur vetëm disa policë, meqë në objekt vazhdon të qëndroj kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi. Pranë komunës së Leposaviqit qëndrojnë njësitet e KFOR-it që vazhdojnë të jenë përgjegjës për sigurinë në këtë komunë, sikur edhe në komunat e tjera. Numri i policisë që është reduktuar arrin në 50% të atyre që shërbenin në veri që nga dorëheqja e policëve serbë vitin e kaluar.

Një numër i vogël i qytetarëve kanë vazhduar të qëndrojnë përballë komunës, derisa nuk janë regjistruar as incidente. Deri te ky vendim i reduktimit edhe të 25% tjetër të policisë erdhi pas një takimi që kishin Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i, ku thonë që situata sidomos përreth komunave është e qetë dhe nuk është i nevojshëm një numër i lartë i pjesëtarëve të policisë.

E njëjta situatë është edhe pranë objektit të komunës së Mitrovicës së Veriut. Në hapësirat e këtij objekti nuk pati pjesëtarë të policisë gjatë mesditës. Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë që Kosova po respekton dakordimin e arritur në Bratislavë, por që reduktimi i policisë nga objektet komunale nuk nënkupton që ata do të largohen nga territori në veri të vendit. Reduktimi i policëve është një prej pikave të dakorduara mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për çtensionim të situatës në veri para zgjedhjeve të parakohshme.

Related Articles

Back to top button