Sot 25 vite nga Masakra e Reçakut! Kurti e Osmani homazhe: 45 shqiptarë u vranë në mënyrë brutale
Kosova përkujton sot 25-vjetorin e masakrës në Reçak, ku forcat serbe vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, si çdo vit bënë homazhe në varreza. I pranishëm ishte edhe ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, i cili e pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.
Ndërkohë që edhe qytetarë të shumtë zhvilluan homazhe në Reçak. Pas homazheve, Osmani ka thënë se shqiptarët u masakruan nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit.
“Jemi këtu jo vetëm për të nderuar viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviçit, por për të përsëritur thirrjen tonë për drejtësi. Drejtësia i jep kuptim paqes, lirisë, e është e domosdoshme për pajtim. Edhe sot jemi këtu për të nderuar të rënët, të gjithë ata që duarthatë u masakruan në mënyrë brutale, duke kryer krime kundër njerëzimit nga regjimi i Millosheviçit”, tha Osmani.
Ajo deklaroi që vetëm drejtësia i jep kuptim paqes teksa ritheksoi këtë detyrim e kërkesë të shqiptarëve të Kosovës.
“Sot kemi nevojë që ta themi vazhdimisht e kudo se në këtë fshat të vogël me histori të madhe u vranë civilë të pambrojtur e të paarmatosur, ndaj thirrja për drejtësi për ta është në funksion të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor të viktimave dhe të familjeve të tyre. Kërkimi i drejtësisë nuk është thjesht një kërkesë, është një detyrë e shenjtë që kapërcen kufijtë, kapërcen etnitë, dhe përkatësisë politike”, ka thënë Osmani në ceremoninë përkujtimore për viktimat e kësaj masakre në 25-vjetorin e kësaj ngjarjeje. “Familjet e të masakruarve të Reçakut të cilët vazhdojnë të mbajnë barrën e humbjes dhe dhimbjes së anëtarëve të tyre meritojnë që autorët e këtij krimi kundër njerëzimit të dalin para drejtësisë”.
Kryeministri Albin Kurti falënderoi ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili i tregoi botës se çfarë kishte ndodhur në këtë vend.
“Masakra e Reçakut këtu e 25 vjet më parë, ku u vranë 45 civilë shqiptarë e tronditi si opinionin publik ndërkombëtar, gjithashtu edhe diplomacinë botërore dhe e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kur ndodhi masakra e Reçakut, ambasadori William Walker si udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë erdhi këtu te fshatarët dhe e foli të vërtetën, tha kjo është masakër dhe krim kundër njerëzimit”.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se Masakra e Reçakut është ndër aktet më mizore të regjimit serb.
“Ky ishte njëri ndër aktet më mizore të regjimit së Serbisë, e po ashtu për botën demokratike shënoi edhe vijën e kuqe për Serbinë okupatore që i solli edhe bombardimet e NATO-s pastaj. Gjë që i hapi rrugë edhe çlirimit të plotë të Kosovës. Pas Reçakut, bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës, sepse nuk do të ndalej lufta dhe masakrat që po i kryente gjithandej Kosovës”, tha Konjufca.
Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet. Masakra në Reçak tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën.
Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviç. Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullatën civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionarë dhe diplomatë të botës.