Kurti: Me SHBA-në s’pajtohemi për gjithçka
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se bashkëpunimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara është i mirë, por se kjo nuk do të thotë që dy vendet “pajtohen absolutisht për gjithçka”.
Kurti tha se Qeveria e tij duhet ta respektojë rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që e ndalon përdorimin e dinarit serb, sepse me Kushtetutë dhe ligj e ka për detyrë.
SHBA-ja është shprehur e shqetësuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit – valutë në të cilën komuniteti serb në Kosovë pranon pagesa të ndryshme nga Serbia që nga paslufta, më 1999.
Ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se Kosova duhet të tërhiqet nga ky vendim që “e vë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në”.
Ngjashëm insistoi edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se vendimi për dinarin i ka prekur tashmë raportet mes dy vendeve.
Kurti, megjithatë, këmbënguli se “raportet janë shumë të mira” dhe se ai “i qëndron kësaj fjale”.
Teksa foli për gazetarët gjatë vënies së gurthemelit të një fabrike për prodhimin e dyerve dhe dritareve në Verbicë të Gjilanit, Kurti u pyet edhe nëse është ftuar nga zyrtarë të Bashkimit Evropian për të takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Ai tha se do të shkonte në takim nëse do të ftohej për nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Unë këtë e bëj për BE-në, por e bëj edhe për shkak se duhet të kemi marrëdhënie normale me Serbinë. Sa për mua, marrëdhëniet do të normalizoheshin qysh në vitin e kaluar, por nëse nuk është bërë në shkurtin dhe marsin e vitit 2023, e mund të bëhet në shkurtin e marsin e vitit 2024, pse jo”, tha Kurti.
Marrëveshja në fjalë është arritur gojarisht vitin e kaluar dhe, mes tjerash, kërkon nga Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe nga Serbia ta njohë de facto Kosovën.
Sipas Kurtit, është Vuçiq ai që refuzon ta nënshkruajë marrëveshjen, ndërsa vetë Vuçiç thotë se, fillimisht, duhet zbatuar ajo që është nënshkruar.
Për Asociacionin, dy vendet janë pajtuar nga viti 2013, por autoritetet e Kosovës kanë refuzuar ta themelojnë nga frika se mund të ndikojë në funksionalitetin e brendshëm të shtetit.