Nënshkruhet marrëveshja për kontrolle të përbashkëta në pikën kufitare Preshevë–Tabanoc

Në pikën kufitare Preshevë–Tabanoc do të vendoset sistemi i kontrollit “One Stop Control”, që do të thotë se kontrolli do të kryhet në një vend të vetëm, gjë që do të thjeshtojë dhe përshpejtojë qarkullimin, si dhe do të shmangë pritjet e panevojshme për udhëtarët.
Marrëveshjen për vendosjen e kontrolleve të përbashkëta në pikat kufitare për trafikun ndërkombëtar rrugor e nënshkruan sot ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçić, dhe ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toškovski.
Daçić theksoi se me këtë marrëveshje vendoset një proces i ri pune në këto pika kalimi, me synim të thjeshtimit të procedurave të kontrollit kufitar, duke lejuar që zyrtarët policorë të vendit mikpritës të jenë të autorizuar të kryejnë jo vetëm kontrollin hyrës për vendin e tyre, por edhe kontrollin dalës për vendin fqinj. Ai shtoi se çdo shtet ruan të drejtën të kryejë kontrolle shtesë ndaj udhëtarëve të caktuar, nëse ekziston nevoja për masa apo veprime specifike.
Ministri serb nënvizoi bashkëpunimin e mirë mes dy ministrive të brendshme, që do të vazhdojë edhe në fusha të tjera, përfshirë bashkëpunimin gjatë sezonit turistik. Ai kujtoi se vitin e kaluar katër oficerë të policisë serbe ishin të pranishëm në Ohër për të kryer patrulla të përbashkëta.
Zëvendëskryeministri Dačić theksoi se kjo praktikë do të vazhdojë, qoftë për praninë e policëve serbë në Maqedoninë e Veriut, qoftë për policët nga Maqedonia e Veriut që mund të vijnë në Serbi për ngjarje të caktuara, siç është Festivali Exit, ku ka prani të madhe të qytetarëve nga ky vend.
Ai përmendi gjithashtu bashkëpunimin në kuadër të organizatave rajonale si SELEC dhe MARRI, si dhe bashkëpunimin e ngushtë në luftën kundër migracionit të parregullt. Sipas Daçić, në katër muajt e parë të këtij viti është shënuar një rënie prej 40% e kalimeve të paligjshme kufitare krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe bashkëpunimi në këtë drejtim do të vazhdojë.
Ministri serb shprehu gatishmërinë e MPB-së së Serbisë për të ndihmuar edhe në raste të emergjencave, si zjarret, duke kujtuar se disa herë janë dërguar helikopterë dhe personel për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve në Maqedoninë e Veriut.
Ministri Toškovski shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, e cila ka rëndësi të madhe për qarkullimin më të shpejtë të mallrave dhe udhëtarëve, dhe shprehu shpresën që sistemi të hyjë zyrtarisht në funksion para fillimit të sezonit veror.
Ai shtoi se bashkëpunimi ndërmjet policive të dy vendeve është i shkëlqyer dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen.