Habia e pushtetit aktual në Preshevë: Nënkryetari i APN-së reagon ashpër ndaj ndërprerjes së projekteve kapitale

Nënkryetari i Alternativës për Ndryshim, Almin Shaqiri, ka reaguar ashpër ndaj sjelljes dhe vendimeve të kryetares së Komunës së Preshevës dhe bashkëpunëtorëve të saj nga koalicioni aktual Ardita – Ragmi. Ai i ka cilësuar veprimet e tyre si “arrogante, të pamoralshme dhe dëmtuese për interesin publik të qytetarëve të Preshevës”.

Në një reagim publik, Shaqiri ka theksuar se gjatë qeverisjes së Alternativës për Ndryshim, disa kompani vendore kanë fituar kontrata për realizimin e projekteve të rëndësishme publike përmes procedurave të rregullta dhe transparente, me mjete të planifikuara deri në vitin 2027.

Sipas tij, një nga veprimet e para të Organit të përkohshëm të instaluar nga koalicioni Ardita – Ragmi ishte rishikimi i buxhetit dhe ndërprerja e kontratave ekzistuese, duke i devijuar mbi 2 milionë euro nga projektet kapitale drejt vetëm një kompanie lokale – Saba Bellca, e cila, sipas Shaqirit, ka përfituar në mënyrë të përsëritur nga pushtetet e mëparshme të këtij koalicioni.

“Nuk kanë pasur problem me kontratat – kanë pasur problem me projektet që nuk i kontrollojnë vetë. Tentuan t’i shantazhojnë kompanitë që kishin kontrata aktive, duke përdorur neglizhencë dhe injorim institucional, dhe sot Komuna e Preshevës përballet me disa padi gjyqësore për shkak të këtyre ndërhyrjeve të paligjshme,” tha Shaqiri.

Ai gjithashtu akuzoi drejtuesit aktualë të komunës për keqpërdorim të buxhetit për qëllime elektorale dhe për manipulim të opinionit përmes “gënjeshtrave të përsëritura”, ndërsa theksoi se qytetarët tashmë i kanë ndëshkuar me votë këto praktika të vjetra politike.

“Mjaft më me mashtrime publike. Jeni bërë të padurueshëm për qytetarët. Marrë ju qoftë,” përfundon reagimin e tij nënkryetari i Alternativës për Ndryshim.

Back to top button