OBSH miraton marrëveshjen e re për pandemitë: 124 vende e mbështesin

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka miratuar një marrëveshje të re ndërkombëtare që synon forcimin e bashkëpunimit global për përgatitje dhe reagim ndaj pandemive të ardhshme. Marrëveshja, e cila u votua nga 124 vende anëtare të OBSH-së, parashikon masa konkrete për ndarjen e burimeve, informacioneve dhe teknologjisë gjatë krizave shëndetësore globale.
Dokumenti përfshin angazhimin që prodhuesit e vaksinave, ilaçeve dhe testeve diagnostike të dhurojnë deri në 20% të prodhimeve të tyre për OBSH-në gjatë një pandemie, me qëllim që të sigurohet shpërndarje e drejtë në mbarë botën, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta.
Pjesë e marrëveshjes janë edhe detyrime për ndarjen e të dhënave mbi patogjenët potencialisht të rrezikshëm, me qëllim që komuniteti ndërkombëtar të jetë më mirë i përgatitur për shpërthime të mundshme.
Megjithëse marrëveshja gjeti përkrahje të gjerë, disa vende abstenuan nga votimi, përfshirë Italinë, Poloninë, Rusinë, Iranin dhe Sllovakinë. Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara nuk ishin pjesë e kësaj votimi, pasi po zhvillojnë negociatat e tyre të brendshme rreth përfshirjes në këtë mekanizëm.
OBSH synon që marrëveshja të shërbejë si bazë për një sistem të qëndrueshëm global për përballimin e pandemive, duke marrë mësime nga përvoja e COVID-19 dhe duke adresuar padrejtësitë e vërejtura në shpërndarjen e vaksinave dhe mjeteve të tjera esenciale. Marrëveshja do të pasurohet më tej me një aneks teknik për ndarjen e informacionit mbi patogjenët, i cili pritet të miratohet në muajt në vijim.