Presheva pa “zot shpije”: Asfalti pritet të dielën në rrugën Karposhit

Në Preshevë, kaosi urban dhe institucional po bëhet normë e përditshme. Qyteti duket si një “shtëpi pa zot”, ku mungesa e rendit dhe përgjegjësisë së pushtetit lokal reflektohet në çdo cep.
Shembulli më i fundit i kësaj gjendjeje ndodhi këtë të diele, kur në mes të ditës u pre asfalti në hyrje të rrugës së Karposhit – e vetmja rrugë në qytet e ndërtuar me standard më të lartë kualiteti. Sipas informacioneve, kjo ndërhyrje dyshohet të jetë bërë pa leje, për t’u lidhur në infrastrukturën komunale.
Ironikisht, kjo rrugë deri më tani kishte mbetur e paprekur, ndryshe nga shumë të tjera të dëmtuara.
Ndërkohë, komuna që mezi ka arritur të mbushë një pjesë të gropave nëpër rrugët lokale, nuk ka reaguar aspak ndaj këtij rasti, duke lënë të kuptohet se standardet dhe ligjshmëria janë bërë luks.
Vetëm pak metra larg vendit ku është prerë asfalti, në kryqëzimin kryesor të qytetit, semaforët janë të fikur me vendim të pushtetit aktual – në një zonë ku trafiku dhe siguria e qytetarëve kërkon rregull.
Këtyre u shtohen edhe trotuaret e pushtuara nga veturat, ku shtyllat metalike në shumë vende janë të hequra, mungesa e hapësirave të sigurta për këmbësorët dhe prania e vazhdueshme e gropave të pambushura nëpër rrugët lokale.