A po rikthehet Shqiprim Arifi në politikë? Një postim që ngjall spekulime

Pas një mungese mbi njëvjeçare nga skena politike, Shqiprim Arifi po shfaq shenja të një pranie të shtuar publike, duke ndezur diskutimet për një rikthim të mundshëm në politikën e Preshevës.

Ish-kryetari i Komunës së Preshevës, i cili u tërhoq nga jeta politike në qershor të vitit 2024, ka rifilluar së fundmi të jetë aktiv në rrjetin social Facebook, ku ka ndarë disa postime me tone simbolike dhe mesazhe të qarta që lidhen me të ardhmen e qytetit.

Në një postim për ditëlindjen e tij, Arifi shkruante:
“Presheva ime—e para dhe e fundit që se lë kurrë pas! Faleminderit për çdo urim. Paçi gjithmonë…”, shoqëruar me një video emocionuese të qytetit në perëndim dielli. Postimi mori mijëra reagime dhe u përshëndet nga ndjekës të shumtë.

Vetëm disa ditë më pas, ai publikoi dy postime të tjera, ku fjalët kyçe si “Kontinuitet!” dhe “Ndryshim” kanë zgjuar dyshime për një mesazh më të thellë politik. Njëra nga pamjet tregonte një takim me të rinj në një ambient shkollor, ndërsa tjetra një pamje mahnitëse të sheshit qendror të Preshevës.

Nën postimet e tij, komentues të shumtë kanë filluar të shprehin hapur dëshirën për rikthimin e tij në skenën politike. Komente si “Na trego vetëm kur t’i kesh marrë biletat, se këta tavolinat i thejnë vetë” dhe “Edhe unë pastaj aktivizohem, pe di ti çka ju bëjmë” janë vetëm disa nga shenjat e mbështetjes popullore që po merr Arifi online.

Deri tani, ai nuk ka dhënë ndonjë deklaratë zyrtare për një rikandidim apo përfshirje të re në politikë. Por një gjë është e sigurt: Presheva është ende në qendër të vëmendjes së Shqiprim Arifit.

Back to top button