Preshevë–Tabanoc pa pritje të gjata: Nga e premtja nis kontrolli i përbashkët kufitar

Nga kjo e premte, në vendkalimin kufitar Tabanocë-Preshevë do të hyjë në funksion sistemi i ri i kontrollit të përbashkët kufitar “One Stop Shop”, i cili synon të shkurtojë ndjeshëm kohën e pritjes dhe të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve në këtë pikë kyçe mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, konfirmoi se nga data 4 korrik, kontrollet kufitare do të realizohen në një ndalesë të vetme për të dy shtetet, duke eliminuar procedurat e dyfishta dhe duke mundësuar kalim më të shpejtë si për qytetarët, ashtu edhe për transportin e mallrave.
“Me Serbinë do ta vëmë zyrtarisht në funksion në fund të kësaj jave, të premten kemi parashikuar ceremoninë e hapjes. Ky model pritet të reduktojë ndjeshëm pritjet në kufi”, deklaroi Toshkovski.
Modeli “One Stop Shop” tashmë është zbatuar me sukses në disa vendkalime mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, si në Bllacë dhe Jazhincë, dhe synohet të shtrihet edhe në kufijtë me Shqipërinë. Toshkovski konfirmoi se janë duke u zhvilluar bisedime intensive me palën shqiptare për zbatimin e këtij modeli në dy pika kufitare të përbashkëta.
Në lidhje me vendkalimet me vendet anëtare të BE-së, si Bullgaria dhe Greqia, ku modeli “One Stop Shop” nuk është i zbatueshëm për shkak të rregulloreve të zonës Shengen, po planifikohet rritja e numrit të korsive dhe përmirësimi i infrastrukturës për të përballuar flukset e mëdha verore.
“Në kufirin me Greqinë, konkretisht në Bogorodicë, kemi kapacitete për të shtuar dy korsi për dalje dhe një për hyrje për kamionë”, shtoi ministri.
Deklaratat u bënë gjatë një takimi zyrtar në Shkup me ministrin e Brendshëm të Lituanisë, Vladislav Kondratoviç, me të cilin u nënshkrua një marrëveshje për riatdhesim dhe bashkëpunim ndërshtetëror policor.
Ky hap i rëndësishëm pritet të përmirësojë ndjeshëm përvojën e udhëtarëve dhe të kontribuojë në një menaxhim më efikas të kufirit në rajonin e Preshevës, veçanërisht gjatë sezonit veror kur fluksi është më i madh.
