Qeveria Kosovës ndanë 580 mijë euro për ndërtimin e shkollës së muzikës dhe muzeut të Preshevës

Një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit kulturor dhe arsimor në Luginën e Preshevës u realizua sot me miratimin e përkrahjes financiare nga Qeveria e Republikës së Kosovës për ndërtimin e Shkollës së Muzikës dhe Muzeut të Preshevës, një projekt i kontraktuar nga Komuna e Preshevës me vlerë prej afro 580 mijë euro.
Lajmin e bëri të ditur Ardita Sinani përmes një postimi në rrjetet sociale, duke falënderuar Kryeministrin Albin Kurti dhe Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, për përkushtimin e tyre të vazhdueshëm ndaj Luginës së Preshevës.
“Ky projekt është më shumë se infrastrukturë – është investim në dije, art dhe kujtesë kombëtare,” theksoi Sinani.
Sipas saj, “Shkolla e Muzikës” do të ofrojë hapësirë moderne për edukimin artistik të të rinjve, për koncerte dhe për afirmimin e talenteve lokale. Po ashtu, “Muzeu i Preshevës”, i pari i këtij lloji në Luginë, do të shërbejë si një qendër e ruajtjes dhe promovimit të historisë, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare.
“Ky është një vendim që tregon se Lugina e Preshevës është gjithnjë në vëmendje, dhe se angazhimi institucional për shqiptarët jashtë kufijve nuk mungon,” shtoi Sinani, duke theksuar se ky investim është rruga drejt barazisë dhe dinjitetit kombëtar.
