Shaqiri: Shkolla e muzikës dhe muzeu i Preshevës, projekte të APN-së

Kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, ka njoftuar se qeveria e Republikës së Kosovës ka dhënë mbështetjen për financimin e ndërtimit të shkollës së muzikës dhe sallës koncertale në qytet – një projekt strategjik për zhvillimin kulturor dhe edukativ në komunën e Preshevës.

Menjëherë pas këtij njoftimi, reagoi edhe opozita. Përfaqësuesi i Alternativës për Ndryshim, Almin Shaqiri, theksoi se ky projekt është ideuar dhe projektuar gjatë mandatit sa ishte në pushtet APN, ndërsa tani po gjen zbatim nga pushteti aktual.

“Edhe pse sot jemi në opozitë, është kënaqësi të shohim që projektet tona kapitale po vazhdojnë të realizohen, sepse janë në shërbim të qytetarëve,” shkroi Shaqiri në rrjetet sociale.

Për ta dëshmuar këtë, ai ndau edhe pamje nga projekti ideor, ku duken qartë koncepti arkitektonik modern dhe hapësirat funksionale që parashihen të ndërtohen. Sipas tij, ky projekt do të transformojë një zonë të rëndësishme të qytetit në një qendër kulturore dhe arsimore bashkëkohore.

Administrata aktuale, nën drejtimin e znj. Sinani, ka siguruar mbështetjen financiare për realizimin e projektit dhe pritet që në muajt në vijim të fillojnë procedurat për zbatimin konkret.

Back to top button