Almin Shaqiri kritikon pezullimin e semaforëve në Preshevë: “Pushteti lokal po legalizon kaosin në trafik!”

Almin Shaqiri, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të pushtetit lokal për pezullimin e punës së semaforëve në qytet gjatë sezonit të pushimeve verore, duke e cilësuar këtë veprim si një hap drejt legalizimit të kaosit dhe pasigurisë në komunikacion.
Shaqiri, në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, thekson se ky vendim i marrë në emër të inspektoratit të komunikacionit, nuk ka as logjikë e as arsyetim teknik. Ai ironizon faktin që bashkatdhetarët, të cilët vijnë nga vende ku rregullat e trafikut respektohen me përpikëri, në Preshevë përballen me anarki të organizuar nga vetë pushteti.
“Të pezullosh semaforët në Preshevë nënkupton që bashkatdhetarëve tanë po ua cënon sigurinë dhe po i detyron t’i nënshtrohen kaosit që po ua imponon ky pushtet lokal kaotik, pa rregulla dhe pa vizion,” – shprehet Shaqiri.
Ai e quan këtë qasje “mendësi e sallamadisë”, duke akuzuar drejtuesit lokal, Ardita Sinani dhe Ragmi Mustafa, se kanë dështuar të menaxhojnë qytetin me përgjegjësi dhe se kanë lënë anash projektet zhvillimore për inate politike.
Shaqiri kujton se pezullimi i semaforëve te vendi i njohur si “Centralla” është bërë pikërisht me ardhjen në pushtet të Arditës, dhe që nga atëherë, sipas tij, janë shënuar disa aksidente trafiku me dëme materiale për qytetarët.
“Presheva po bëhet ndoshta qyteti i vetëm në botë që i fik semaforët kur trafiku shtohet… për studim,” – shkruan ai me ironi.
Në fund të reagimit të tij, Shaqiri apelon që pushteti të rikthehet në funksionin e tij ligjor dhe të ndalë hakmarrjet politike.
“Ktheni rregullat, kallni semaforët, leni inatet…, për sigurinë e qytetarëve tanë!” – përfundon ai.
