Armand Duka nga Bujanoci premton mbështetje të fuqishme për futbollin në Luginën e Preshevës

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), z. Armand Duka, zhvilloi një vizitë historike në Bujanoc, në kuadër të turneut të futbollit për fëmijë në Luginën e Preshevës, një nismë e mbështetur fuqimisht nga FSHF.
Në një atmosferë miqësore dhe të ngrohtë, Presidenti Duka u prit nga kryetari i Komunës së Bujanocit, z. Arbër Pajaziti, përfaqësues të klubeve sportive lokale dhe Ambasadori i Shqipërisë në Serbi, z. Bardhyl Canaj.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e zhvillimit të futbollit në rajon, me fokus në përmirësimin e infrastrukturës sportive, krijimin e mundësive për trajnim të trajnerëve dhe ofrimin e mbështetjes për të rinjtë e talentuar të zonës.
Presidenti Duka shprehu angazhimin e FSHF-së për të qenë një partner i qëndrueshëm në përpjekjet për zhvillimin e futbollit në Luginën e Preshevës, duke theksuar se çdo cep ku rreh zemra kuqezi meriton vëmendje dhe investim.
Kjo vizitë vjen si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse të FSHF-së për të mbështetur komunitetet shqiptare jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë, përmes fuqisë bashkuese të sportit dhe veçanërisht të futbollit.
Turneu i futbollit për fëmijë në Luginë vazhdon të jetë një ngjarje e rëndësishme që jo vetëm zbulon talentet e reja, por forcon edhe ndjenjën e përkatësisë dhe bashkësisë mes të rinjve shqiptarë të rajonit.
