Njoftim i rëndësishëm për udhëtarët drejt Bashkimit Evropian – Sistemi i ri EES

Që nga 12 tetori 2025, në të gjitha vendet e zonës Schengen ka hyrë në fuqi sistemi i ri EES (Entry/Exit System) për regjistrimin digjital të hyrjes dhe daljes së shtetasve që nuk janë pjesë e BE-së.
Çfarë është EES?
EES është një sistem elektronik që regjistron automatikisht:
– hyrjet dhe daljet nga kufijtë e jashtëm të zonës Schengen,
– të dhënat biometrike të udhëtarëve (foto dhe gjurmë gishtash),
– si dhe të dhënat e pasaportës.
Ky sistem zëvendëson vulat manuale në pasaportë dhe ndihmon autoritetet kufitare të llogarisin saktë sa kohë qëndron çdo vizitor në zonën Schengen (maksimumi 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore).
Kujt i aplikohet?
– Të gjithë shtetasit që nuk janë nga BE ose Shengen, përfshirë qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Kosovës etj.
– EES nuk është vizë – pra rregullat për vizat mbeten të njëjta.
Shembull: shtetasit e Kosovës, Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë mund të udhëtojnë pa vizë për 90 ditë, por do të regjistrohen në EES gjatë hyrjes në zonë.
A duhet të aplikoni paraprakisht?
Jo. Nuk ka aplikim online apo formular për t’u plotësuar paraprakisht.
Regjistrimi bëhet vetëm një herë dhe drejt në pikën kufitare kur hyni për herë të parë në zonën Schengen (p.sh. në aeroport ose në kufirin tokësor).
Atje, policia kufitare:
– do t’ju skanojë pasaportën,
– do t’ju marrë një foto,
– dhe do t’ju marrë gjurmët e gishtërinjve.
Pas këtij regjistrimi, hyrjet e ardhshme do të kalojnë shumë më shpejt, pa pasur nevojë për regjistrim të ri.
Shembull praktik
Një qytetar nga Presheva që udhëton pas 12 tetor 2025 për në Gjermani, do të regjistrohet në EES në pikën e parë kufitare të Schengenit.
Nëse më pas udhëton nga Gjermania për në Zvicër (p.sh. Zurich), nuk ka nevojë për regjistrim tjetër – sepse Zvicra është pjesë e zonës Schengen për lëvizjen e njerëzve.
Përmbledhje
– Nuk ka nevojë për aplikim paraprak.
– Regjistrimi bëhet vetëm në kufi, gjatë hyrjes së parë në Schengen.
– EES vlen për të gjithë qytetarët jashtë BE-së, përfshirë ata që udhëtojnë pa vizë.
– Mos e tejkaloni kufirin e 90 ditëve – sistemi e llogarit automatikisht.
