Shqiprim Arifi shpërthen: Muslimanë, MOS votoni Albin Kurtin dhe VV-në

Ish Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka shprehur kritika të ashpra ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se, sipas tij, ata nuk e meritojnë më besimin dhe votën e komunitetit musliman.

Në reagimin e tij, Arifi thekson se për shumë qytetarë të Kosovës, veçanërisht për komunitetin musliman që përbën shumicën në trojet shqiptare, mbështetja ndaj një politike që nuk i mban premtimet është çështje morale dhe nderi. Ai nënvizon se, sipas parimeve islame, gënjeshtra dhe mashtrimi janë burim i të këqijave dhe të papranueshme si në jetën fetare ashtu edhe në atë publike.

Shqiprim Arifi rendit një sërë premtimesh që, sipas tij, Albin Kurti dhe Vetëvendosje i kanë dhënë para ardhjes në pushtet, por që më pas nuk janë respektuar. Ndër to, ai përmend çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, marrëdhëniet me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, privilegjet qeveritare, oligarkinë, korrupsionin, presionin ndaj mediave, rritjen e çmimeve dhe praninë e Serbisë në Kosovë.

“Mosmbajtja e fjalës dhe papërgjegjësia politike janë arsye të mjaftueshme që Albin Kurti dhe VV të mos e gëzojnë më besimin dhe votën e muslimanëve”, shkruan Arifi, duke shtuar se edhe predikuesit e besimit islam, sipas tij, kanë përgjegjësi morale ndaj popullit për të mos mbështetur hipokrizinë politike.

Postimi i Arifit:
Muslimanët dhe disa predikuesit e drejtë të fesë islame, nuk kanë votë për hipokritët si Albini dhe VV!

Për shumë qytetarë të Kosovës, veçanërisht për komunitetin musliman që përbën shumicën absolute në trojet shqiptare, mbështetja për një politikan dhe një parti që janë dëshmuar si të pabesueshëm në premtime, është çështje morale dhe nderi.

Kjo, sepse muslimanët praktikues, e dinë mirë se ai i cili gënjen, i ka dhe i bartë të gjitha të këqijat.

Albin Kurti dhe Lëvizja e tij, kanë ardhur në pushtet me një listë të gjatë premtimesh publike. Shumica prej tyre u paraqitën si angazhime të qarta dhe të panegociueshme, por realiteti ka treguar të kundërtën!

Premtuan se nuk do të ketë Asociacion – E PRANUAN.
U betuan se nuk do të prishen marrëdhëniet me SHBA-në – I PRISHËN.
U betuan se nuk do të prishen marrëdhëniet me Evropën – I PRISHËN.
Thanë nuk ka Jeepa, nuk ka privilegje – I MORËN.
Thanë nuk ka oligarki – E MBROJTËN.
Thanë nuk ka korrupsion – E TOLERUAN.
Thanë nuk ka presion mbi media – E USHTRUAN.
Thanë nuk do të ketë rritje çmimesh – ÇMIMET SHPËRTHYEN.
Thanë s’ka Serbi në Kosovë – SERBIA ËSHTË MË PREZENTE SE KURRË

Mosmbajtja e fjalës dhe papërgjegjësia politike janë arsye të mjaftueshme që Albin Kurti dhe VV të mos e gëzojnë më besimin dhe votën e Muslimanëve; veçanërisht për predikuesit e besimit islam, që bartin jo më pak përgjegjësi ndaj popullit!

Back to top button