Kaos në rrugët e Preshevës: Bora bllokon qarkullimin, qytetarët dalin në ndihmë

Preshevë – Reshjet e borës të shoqëruara me temperatura të ulëta kanë sjellë vështirësi të konsiderueshme në qarkullimin rrugor në qytetin e Preshevës. Rrugët kryesore dhe dytësore janë mbuluar me borë dhe akull, duke shkaktuar rrëshqitje të automjeteve dhe bllokime të përkohshme të trafikut.

Në disa zona të qytetit, drejtuesit e mjeteve janë detyruar të ndalojnë, ndërsa qytetarë të tjerë kanë dalë për t’i ndihmuar duke shtyrë automjetet që nuk arrinin të lëviznin. Qarkullimi është zhvilluar me vështirësi të mëdha, veçanërisht për mjetet e rënda dhe furgonët e furnizimit.

Autoritetet lokale u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, të përdorin goma dimërore dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve. Po ashtu, ekipet e shërbimeve komunale janë në terren për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve, me qëllim normalizimin e situatës.

Sipas parashikimeve, moti i ftohtë pritet të vazhdojë edhe në orët në vijim, ndaj rekomandohet kujdes maksimal për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

Back to top button