Mbi 20 shoferë me dëme, qytetarët detyrohen të vendosin pengesë në rrugën e Karposhit

Në rrugën e Karposhit në Preshevë është krijuar një situatë shqetësuese për sigurinë në komunikacion, pasi një pusete ka rënë dhe ka lënë pas një gropë të thellë në mes të rrugës.
Sipas banorëve të zonës, mbi 20 shoferë kanë pësuar dëmtime në automjetet e tyre pasi kanë rënë në këtë gropë gjatë ditëve të fundit. Dëmet variojnë nga shpërthimi i gomave, dëmtimi i felneve deri tek probleme në sistemin e pezullimit, duke shkaktuar kosto të konsiderueshme për qytetarët.
Banorët shprehen të revoltuar për mungesën e reagimit institucional, duke theksuar se problemi ka qenë i pranishëm prej disa ditësh pa ndërhyrje konkrete. Si pasojë e rrezikut të shtuar, qytetarët kanë vendosur vetë një pengesë improvizuese për të sinjalizuar gropën dhe për të paralajmëruar drejtuesit e mjeteve që të kenë kujdes.
Rruga e Karposhit është një ndër segmentet e frekuentuara në qytet, dhe mos-sanimi i menjëhershëm i kësaj pjese paraqet rrezik serioz për aksidente të mundshme.
Qytetarët kërkojnë nga organet përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më parë për riparimin e puseteve dhe rikthimin e sigurisë në këtë aks rrugor, në mënyrë që të shmangen dëme të tjera materiale apo pasoja më të rënda.
