Nënshkruhet marrëveshja për “Koalicionin shqiptar”, politikanët e Luginës bëhen bashkë përballë Beogradit për zgjedhjet e 25 tetorit

Sot, në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës në Prishtinë, përfaqësuesit e autorizuar të subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë nënshkruar zyrtarisht Marrëveshjen Politike për pjesëmarrje me një listë të vetme zgjedhore me emërtimin “Lugina e Bashkuar”, për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit 2026 në Serbi.

Kjo marrëveshje vjen si rrjedhojë e ndërgjegjësimit për domosdoshmërinë e bashkimit politik për mbrojtjen e të drejtave individuale e kolektive, si dhe duke u mbështetur në dokumentet historike dhe politike: Plani Shtatëpikësh i vitit 2013, Marrëveshja e Konçulit e vitit 2001, Platforma Politike e vitit 2006 dhe Deklarata e Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë e vitit 2015.

Pikat kyçe të Marrëveshjes Politike:

Listë e vetme dhe gjithëpërfshirëse: Të gjitha subjektet do të garojnë nën siglën “Lugina e Bashkuar”. Palët janë zotuar të mbështesin këtë listë me të gjitha kapacitetet e tyre dhe të mos paraqesin apo mbështesin asnjë listë tjetër konkurruese.

Renditja e kandidatëve: Renditja do të përcaktohet sipas peshës politike të subjekteve, bazuar në numrin e këshilltarëve komunalë të fituar në zgjedhjet e fundit lokale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Subjekti me peshën më të madhe do të propozojë kandidatin e parë.

Platforma e përbashkët: Baza e veprimit politik është zbatimi i plotë i Planit Shtatëpikësh të vitit 2013. Përparësi absolute i jepet mbrojtjes nga pasivizimi diskriminues i adresave, garantimit të së drejtës së votës, përfaqësimit të drejtë në institucione, njohjes së diplomave, arsimit, përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, si dhe zhvillimit ekonomik.

Vendimmarrja dhe bashkërendimi: Asnjë hap politik (përfshirë platformën, negociatat dhe marrëveshjet paszgjedhore) nuk do të ndërmerret pa pajtimin paraprak të të gjitha subjekteve nënshkruese. Bashkërendimi do të zhvillohet drejtpërdrejt ndërmjet palëve dhe në konsultim me Kryeministrin e Kosovës.

Kultura politike dhe Grupi Koordinues: Palët janë zotuar për respekt të ndërsjellë dhe shmangie të sulmeve publike ndaj njëra-tjetrës. Do të formohet një Grup Koordinues i cili do të menaxhojë veprimet teknike, fushatën e bashkërenduar dhe mbrojtjen e votës.

Sipërmarrja e këtij bashkimi politik pason edhe thirrjen për përfaqësim të garantuar në Parlamentin e Serbisë, ku në analogji me 10 ulëset e garantuara për serbët në Kuvendin e Kosovës, shqiptarët e Luginës duhet të kishin së paku 5 vende të garantuara.

Republika e Kosovës rikonfirmon mbështetjen e saj të vazhdueshme për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për mbrojtjen e identitetit, të drejtave dhe zhvillimit të tyre në vendlindje.

Back to top button