Në pikëkalimin e Preshevës: Arrestohet shtetasja austriake, iu gjetën lëndë narkotike dhe fishekë në furgon (kamper)

Një shtetase e Austrisë, e identifikuar me inicialet E.T., është arrestuar në pikëkalimin kufitar të Preshevës nga pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë Kufitare, nën dyshimin për veprat penale të prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve, si dhe armëmbajtjes pa leje.
Urdhri për arrestimin e saj është lëshuar nga Prokuroria Themelore Publike në Vranjë.
Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit të saj tip “BMW” dhe brenda kamperit që ajo po transportonte, policia kufitare dhe autoritetet doganore zbuluan një sasi të larmishme substancash narkotike dhe municionesh:
2.9 gramë hashish;
9.63 gramë substancë pluhur (të ashtuquajturat “kërpudha magjike”);
9 tableta ekstazi;
6 copë letër LSD;
4.6 gramë MDMA;
1 shishe me qetësues “Diazepam”;
2 fishekë armësh.
Prokuroria Themelore Publike në Vranjë i ka caktuar të dyshuarës masën e ndalimit deri në 48 orë, ndërsa ajo do të dërgohet para prokurorit me kallëzim penal përkatës.
