Lajme

QSA vazhdon aksionin për refugjatët nga Lindja e Mesme

Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit në Preshevë nën moton “solidariteti nuk njeh kufinj”, vazhdon aksionin humanitar që u dedikohet refugjatëve nga vendet e Lindjes së Mesme e të Largët, të cilët kanë vërshuar në drejtim të vendit tonë, për të kaluar tranzit në drejtim të shteteve europiane.
Qëllimi i aksionit humanitar është solidarizimi me njerëzit me trupa të rraskapitur, shpirta të lodhur dhe zemra të thyera, të cilët i kanë braktisur shtëpitë e tyre për të kërkuar strehim në vende të treta, për shkak të luftërave që po zhvillohen në vendet e tyre.
Aksioni në vehte përmban shpërndarjen e pakove ushqimore me përmbajtje: 1 bukë hamburgeri, 1.5 lit. Ujë Rosa, 1 pashtetë pule, 0.18 lit. jogurt dhe 1 lit. qumësht (për foshnjet dhe shtatëzënat). Këto ushqime po u dhurohen këtyre njerëzve me të hyrë në territorin e komunës së Preshevës, gjegjësisht në një pikë të caktuar të ndalimit të tyre në fshatin Miratoc, fshat ky i afërt me kufirin e Maqedonisë.
Përmes aksionit QSA ka planifikuar qe gjatë ditës të shpërndajë 500 pako ushqimore, në kohëzgjatje prej së paku një muaji, me mundësi të vazhdimit të aksionit, varësisht nga mundësitë e sigurimit të donacioneve, pasi siç shihet vala e refugjatëve nuk ka të ndalur, por sa vie e rritet numri i tyre.
Aksionin në fjalë po realizohet falë mbështetjes së donatorëve, përmes partnerit të QSA-së nga Gjermania dhe angazhimit të Qendrës sonë në Ludwigschafen të Gjermanisë.
QSA apelon tek bizneset lokale dhe njerëz të vullnetit të mirë në vend dhe diasporë, që të solidarizohen me refugjatët nga Lindja e Mesme, sidomos në këto ditë të ngrohta të verës, që t’i bashkangjiten aksionit tonë, duke ua lehtësuar sado pak gjendjen e vështirë këtyre kalimtarëve.
Të interesuarit mund të paraqiten drejtëpërdrejtë në ambientet e QSA-së në Preshevë, apo edhe tek Qendrat e QSA-së në diasporë, për të mbështetur aksionin në fjalë.
Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit Preshevë
Departamenti i Solidaritetit

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button