Nexhmedin Saqipi: Hiqni dorë nga politizimi i lëndës fetare
Koordinatori i lëndës fetare në shkollat shqipe në Luginë të Preshevës, myftiu Nexhmedin ef. Saqipi, përmes një apeli ka reaguar, për siç thotë “politizimin e lëndës fetare” në shkolla.
Myftiu Saqipi, apelon te institucionet komunale dhe ato arsimore, të heqin dorë nga ndikimet e tyre në politizimin e lëndës fetare dhe kuadrit të saj arsimor.
Në kuadër të këtij apeli, myftiu Saqipi, kërkon nga drejtorët e shkollave, që mos të manipulohen nga Listat jo adekuate të punëtorëve arsimorë të lëndës fetare, të përpiluara dhe të manipuluara nga individë të papërgjegjshëm.
“Të mërkurën e ardhshme, më 9 shtator 2015, pritet që Ministria e Arsimit, të mbaj takim lidhur me këtë problematikë dhe t’ua dorëzoj me shkrim Listat me emra të kuadrit arsimor për lëndën fetare, nëpër shkollat me mësim në gjuhën shqipe”, thekson Myftiu Saqipi në njoftimin e lëshuar të cilin e transmeton Titulli.com.
Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi, fton përfaqësuesit e pushteteve lokale, pikërisht nga drejtoratet e Departamentit për Shërbime Publike dhe Veprimtari shoqërore, mos tu binden drejtorët e shkollave, që mësimdhënësit e lëndës fetare mos t’ia fillojnë procesit mësimor deri sa të vijë Lista përfundimtare, në mënyrë që ndërkohë të punojnë në favor të lëndës për shtimin e orëve të edukatës qytetare, për ta minimizuar lëndën fetare.
“E gjithë kjo bëhet që pushtetet lokale, t’i punësojnë militantët partiakë”, thuhet në njoftim.
Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi, ua bënë me dije se lënda fetare nuk është misionare, por informative.
“Punëtorët arsimorë, duhet t’i informojë dhe mësojnë për rolin dhe rëndësinë e lëndës fetare e jo t’i bindin ata të involvohen në proceset fetare. Lëndën fetare mund ta ndjekin edhe nxënësit, që i takojnë konfesioneve tjera, por që shprehin dëshirë për të mësuar për të mirat e fesë Islame, thuhet mes tjerash në apelin e Koordinatorit të lëndës fetare, myftiu Nexhmedin ef. Saqipi.
Ai njëherit uron vitin e ri shkollor 2015/2016, duke u dëshiruar nxënësve dhe mësimdhënësve, suksese në rrugën e edukimit, aftësimit dhe përparimit arsimor. /Titulli.com/