Lajme

Dikur e kërkuar nga Interpoli, tash kërkon votën për ti mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Medvegjës

Leme Xhema është shumë e gëzuar që ka ardhur përsëri në Kosovë. Madje ajo u prit me surle e tupanë në Fushë Kosovë, raporton KTV.
Ish-drejtoresha e PTK-së, e dënuar në mungesë e deri vonë ishte në kërkim edhe nga Interpoli, ka deklaruar se nuk ka asnjë problem me drejtësinë. E dënuara për shpërdorim të detyrës zyrtare i ka arsyetuar veprimet që i kishte bërë. Leme Xhema ishte e shoqëruar edhe nga avokati i saj, Tomë Gashi, i cili ka deklaruar se klientja e tij, nuk i është shmangur drejtësisë. Këto deklarata, ish-drejtoresha e PTK-së, i ka bërë në Fushë Kosovë, nga ku e ka kërkuar votën e qytetarëve të Medvegjës që jetojnë në këtë qytet, pasi ajo do të garojë në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen më 13 shtator në Medvegjë. Bashkë me të u panë edhe liderë të tjerë të Kosovës Lindore të koalicionit PVD – UDSH. Ndërkaq, Leme Xhema që ishte drejtoreshë shumëvjeçare e PTK-së, më 2011 u dënua me tre vjet heqje lirie, nën akuzën për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe hyrjes në kontratë të dëmshme, përcjell koha.net. Transferimi prej 300 mijë eurosh që e kishte bërë Leme Xhema gjatë kohës që ushtronte pozitën e drejtoreshës së PTK-së, i kishte krijuar përfitim të paligjshëm kompanisë “Norway Invest”, ku ajo kishte punuar më parë.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button