A kanë nevojë shqiptarët e Luginës për një “Asociacion”? (Video)
Themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë ka mobilizuar edhe elitën politike shqiptare në Luginë të Preshevës për bashkim institucional të komunave shqiptare atje.
Për të diskutuar për këtë projekt politik, në emisionin Info Magazine në Klan Kosova të ftuarit Jonuz Musliu – Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës – dhe Belgzim Kamberi – Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Luginën e Preshevës – kanë shfaqur mospajtimet e tyre karshi kësaj çështjeje.
Kamberi ka thënë se ky është momenti vendimtar i shqiptarëve që jetojnë brenda kufijve serbë dhe se duhet të veprohet.
““Preshevës i duhet bashkimi i komunave për shkak se është koha dhe momenti të bëhet kjo gjë, ndonëse është dashur që të bëhet shumë më herët”.
“Edhe më herët kemi kërkuar që të jemi pjesë e bisedimeve për të zgjidhur çështjen e shqiptarëve të luginës, por kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh”.
Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës përkrahjen që ju duhet shqiptarëve të luginës për të bërë hapin e ngjashëm me atë që bëri Serbia për shtetasit e vet brenda Kosovës.
“Lidershipi i Luginës ka nevojë që të marrë direktiva nga Prishtina. Ndonëse Kosova i ka hallet e veta, Qeveria duhet të angazhohet edhe për shqiptarët e Preshevës”.
“Europa nuk mund të jetë ndryshe për serbët e Kosovës, e ndryshe për shqiptarët e luginës. Për këtë arsye ne iu kemi drejtuar komuniteti ndërkombëtar, dhe me 12 shtator do ta shqyrtojmë mundësinë për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi”.
Ndërsa, Belgzim Kamberi duke u shprehur skeptik rreth idesë për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi, ka thënë se një gjë e tillë duhet iniciuar nga shtetet amë të shqiptarëve të Luginës.
“Asociacionin e komunave Serbe në Kosovë nuk e kërkuan serbët lokalë por qeveria serbe. Edhe për shqiptarët e luginës duhet ta ngrish zërin Tirana e Prishtina zyrtare. Serbët në Kosovë po e bëjnë autonominë politike, kurse shqiptarët e luginës vetëm po e përmendin”.
“Në luginë të Preshevës ne nuk kemi të drejtë as për përdorimin zyrtar të flamurit kombëtar, e lëre më të krijojmë diçka si Bashkimi i Komunave”.
“Shqiptarët në Serbi nuk kanë të drejta as kulturore, e lëre më ekzekutive”.
Musliu ka bërë të ditur se me 17 shtator do të zhvillohet një takim mes liderëve të Luginës dhe kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.
“Ne do të kemi takim me kryeministrin Mustafa me 17 shtator dhe do të flasim edhe për një asociacion edhe për problemet e shqiptarëve”.
Kurse, ky plan i liderëve për tu takuar për Luginën e Preshevës, ka hasur në kundërshtimin e Kamberit, i cili ka thënë se para se të takohen me Mustafën, liderët e Preshevës e Bujanovcit duhet që të jenë të unifikuar.
“Bujanoci e Presheva duhet të bëhen bashkë, e pastaj të vijnë në takim te kryeministri, për shkak se ju fillimisht nuk jeni të bashkuar”.
“Nuk kemi të bëjmë me reciprocitet. Nëse nuk kemi unitet në Luginë të Preshevës nuk mund të ecim përpara”.
Gjatë debatit Musliu ka kërkuar që shqiptarët e Luginës së Preshevës të qëndrojnë të bashkuar karshi qëllimit për bashkimin e komunave shqiptare në territorin e Serbisë, kurse Kamberi ka shprehur mendimin se Kosova nuk do të mund të arrijë kurrë që të ketë ndikim brenda territorit serb, ashtu si kanë serbët në kufirin kosovar.