Arifi kritikon Kurtin dhe Sveçlën: “Lugina pret mbi çerek shekulli, ndërsa serbët marrin shtetësi me procedura të shpejta

Ish Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Kosovë lidhur me dhënien e shtetësisë për qytetarët serbë.
Në një postim publik, Arifi ka ngritur shqetësimin për, siç e quan ai, trajtim të pabarabartë mes shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe serbëve në Kosovë.
“Lugina pret mbi çerek shekulli, kurse serbët tap – Albini, tap – shtetësia!”, ka shkruar Arifi, duke kritikuar qasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ai shton se është krijuar një narrativë e vazhdueshme për rolin e Kurtit si patriot, por sipas tij, politikat konkrete nuk reflektojnë interesat e shqiptarëve.
“Për cilin popull? Për Kosovën dhe shqiptarët jo, ama për serbët? Po, definitivisht”, thekson ai.
Arifi gjithashtu përmend Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke sugjeruar se përfitimet për komunitetin serb po avancohen në mënyrë të vazhdueshme. Sipas tij, edhe ligjet për shtetësi po përdoren për të favorizuar qytetarët serbë, përfshirë edhe persona që ai i përshkruan si ish-refugjatë apo pjesëtarë të strukturave paramilitare.
Në reagimin e tij, ai i referohet edhe një deklarate të ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ku thuhet se ka “qindra aplikime nga serbët për shtetësi të Kosovës”.
Në fund, Arifi ka përdorur një gjuhë të ashpër politike, duke kritikuar mbështetësit e Kurtit dhe duke i krahasuar ata me mbështetës të politikave serbe.
Ky reagim pritet të nxisë debat të mëtejshëm në skenën politike shqiptare, sidomos për çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe politikat e shtetësisë në Kosovë.
