Deri në shtator pritet zgjidhja për 320 mijë objekte pa leje në Serbi

Në Serbi janë evidentuar rreth 4.8 milionë objekte të ndërtuara pa leje, ndërsa për afro 2.5 milionë prej tyre janë dorëzuar kërkesa për regjistrim në kuadër të programit “Svoj na svome”. Sipas informacioneve të publikuara nga RTS, deri në fillim të vjeshtës pritet që Agjencia për Planifikim Hapësinor dhe Urbanizëm të përpunojë rreth 320 mijë kërkesa.
Procesi i përpunimit të të dhënave po zhvillohet në faza. Pronarët e objekteve do të njoftohen për pagesën e taksave përkatëse, pas së cilës objekti mund të regjistrohet në Kadastrën e Patundshmërive. Regjistrimi nuk mund të kryhet nëse në dokumentacion mungon sipërfaqja e parcelës mbi të cilën është ndërtuar objekti.
Qytetarët që kanë aplikuar për regjistrimin e objekteve të tyre mund të kontrollojnë statusin e kërkesës në portalin e RGZ-së, ku procedura shfaqet me ngjyra:
Blu – kërkesa është dorëzuar dhe pret konfirmimin.
Portokalli – kërkesa është në proces shqyrtimi.
E kuqe – dokumentacioni ka mangësi teknike dhe është kthyer për plotësim.
E gjelbër – objekti është regjistruar me sukses në Kadastër.
Sipas autoriteteve, Agjencia ka kapacitetet e nevojshme për të përfunduar përpunimin e këtyre kërkesave brenda afatit të parashikuar, ndërsa qytetarët që nuk kanë aplikuar në afatin e rregullt mund ta bëjnë këtë deri më 24 tetor, nëse paraqesin një arsye të justifikuar për vonesën.
