Babai i ushtares amerikane: Vajza m’u qëllua dhe u vra në Kosovë

Ushtarja amerikane Heidi Ruh, 32 vjeçe, humbi jetën pesë ditë më parë në kampin “Bonsteel” në Kosovë. Zyrtarë për media të kampit njoftuan për rastin duke thënë se ajo vdiq në një incident që nuk ka lidhje me konflikt të armatosur. Ndërsa, familjarët e saj, duke folur për mediat amerikane, thonë se ajo u qëllua me armë, edhe pse nuk i kanë të njohura rrethanat se si ndodhi ngjarja.
Scott Ruh, babai i të ndjerës, thotë se është krenar me vajzën e tij, e cila shërbeu në batalionin mjekësor, dhe e cila ka lënë pas dy fëmijë.
Ai thotë se kur vajza e njoftoi në fund të vitit të kaluar se do të shkojë në Kosovë për të shërbyer, ai nuk ishte shumë i shqetësuar, sikur në vitin 2012 kur ajo shërbente në Afganistan, pasi Kosova nuk është në luftë, raporton lajmi.net.
Herën e fundit që ajo kishte komunikuar me prindërit e saj, ishte dita e enjte. Në një bisedë me Skype, ajo kishte thënë se po kalonte shumë mirë në Kosovë dhe se po planifikonte një udhëtim të veçantë.
“Ajo tha se po planifikonte një udhëtim pesëditor në Paris. Gjithmonë kishte pasur dëshirë ta vizitonte Parisin”, ka thënë babai i saj.
Por, vetëm një ditë më pas, të premten ai mori lajmin shokues se vajza e tij u qëllua për vdekje.
Edhe pse Scott nuk e di saktësisht se si vdiq vajza e tij, ai e di se si ajo jetonte.
“Ajo ishte gjithmonë e qeshur, asnjëherë e mërzitur. Ajo e donte familjen dhe vendin e saj. Unë jam shumë krenar për të, dua t’ia them edhe një herë”, thotë ai me lot në sy.

Leave a Reply

Back to top button