Në Shkup u mbajt Protesta “stop dhunës kundër shqiptarëve”

Në Shkup u mbajt protesta e qindra shqiptarëve me moton “Stop Dhunës ndaj shqiptarëve” në mbrojtje të familjes shqiptare në Radishan të Shkupit.
Protesta u organizua nga Forumi për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (IGFM) dhe shoqatat studentore. Në protestë ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës së Strugës Ziadin Sela.
Protestuesit qetësisht me pankarta dhe sllogane kundër dhunës kanë marshuar nga sheshi “Skënderbe” drejt Qeverisë dhe më pas Parlamentit, duke i rikthyer drejt vendit ku nisi marshi. Protestuesit janë ndjekur nga forca të mëdha policie, të cilat kanë qenë në numër të madh dhe mjete të blinduara.
“Gjendja e shqiptarëve më Maqedoni është shumë më e vështirë se sa paraqitet nga disa ‘trima’ dhe patriotë shqiptarë politikan që kanë zënë kolltuqet dhe nuk ju intereson asgjë për shqipztarët. Me këtë dëshirojmë të tregojmë se shqiptarët përkrahin protestën dhe jemi të bashkuar për ta ndaluar dhunën jo vetëm në Radishan por kah mos ku ka familje shqiptare” theksoi Idriz Sinani nga IGFM.
Kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela theksoi se në këtë situatë çdokush duhet të mbajë armë dhe të vetëmbrohet, për shkak se shteti tregoi se nuk mund të mbrojë qytetarët.
“Pragu i shtëpisë është i shenjtë për shqiptarët, ata duhet ta mbrojnë atë. Pushteti duhet tu sigurojë të drejtat themelore njerëzore banorëve të saj, nëse këtë shteti nuk e bën atëherë duhet të reagojë populli vet në këtë mënyrë. Koalicioni i ri qeveritar duhet të reagojë menjëherë para se të kemi ndonjë fatkeqësi më të madhe” theksoi Sela.