LajmeVideo

Eksodi i Luginasve (Video)

Ata janë të diskriminuar nga institucionet serbe, të injoruar nga Tirana zyrtare dhe me shpresa të varura kot në institucionet e Kosovës. Në një gjendje të tillë të rënde, detyrohen të zhvendosen në drejtim të Kosovës, duke ëndërruar për një jetë më të mirë.

Shifra e papunësisë në këtë pjesë, është alarmante. Mbi 70 % siç do të shprehej Kryetari i Preshevës Shqipërim Arifi. Ngërçet e tjera që krijohen në vijën e komunikimit me qeveritarët serbë, veç e thellon edhe më tej gjendjen e rëndë. Gjendja e rëndë ekonomike e krijuar nga papunësia janë preokupimi kryesor edhe për Ardita Sinanin, Kryetaren e Kuvendit Komunal  në Preshevë. Në një intervistë  për Gazeta e Re (e cila do të publikohet të hënën), ajo i ka renditur këto probleme, si ndër më të rëndat dhe më të nevojshmet për t’u zgjidhur. Kjo gjendje është shkaktarja kryesore se pse një pjesë e madhe e preshevarëve, nuk po  sheh të ardhme premtuese në Preshevë.  Ata e kanë kuptuar që retorika e thatë e politikanëve shqiptarë të rajonit, në Shqipëri e Kosovë, është thjeshtë – e pafrytshme. Hashim Thaçi dikur Kryeministër e tash President i Kosovës, është njëri ndër ata liderë që e ka zënë në gojë disa here Preshevën, por pa ndërmarr veprime serioze që ja vlen t’i përmendim.

Ditë më par Presidenti Thaçi priti një delegacion nga Presheva, ku ndër të tjera u bisedua për mënyrat se si të thellohen marrëdhëniet ndërmjet vendeve.  Veçanërisht ai qe fokusuar në aspektin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

‹‹Respektimi i të drejtave të pakicave është njëri prej kritereve kryesore për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe asnjë shtet kandidat, përfshirë këtu edhe Serbinë, nuk mund të avancojë në procese integruese pa i përmbushur standardet më të larta të respektimit të pakicave.›› – qe shprehur Thaçi. Por pikërisht ky margjinalizim institucional nga ana e Serbisë në raport me Preshevën, po shndërrohet në faktor që po i detyron ata t’i braktisin vatrat.

Ish kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa shpërnguljet masive që janë duke ndodhur tash, i sheh si vijimësi e atyre të mëhershme. Për Gazeta e Re ai tha se vetëm lufta i ka ndërprerë zhvendosjet e luginasve në drejtim të Kosovës.

‹‹…shpërnguljet kanë vazhduar në një intensitet të caktuar.››, që sipas tij për cak kanë pasur Republikën e Kosovës ose vendet e perëndimit. Ndër shkaktarët kryesor të këtij ekzotik ai sheh vet institucionet qeveritare serbe. ‹‹ Qeveria serbe asnjëherë nuk ka treguar gatishmëri që t’i përmbush kërkesat e shqiptarëve, kërkesat legjitime të tyre, nuk është e interesuar asnjëherë që t’i jetësojë këto të drejta madje as në nivelin e kërkesave që i ka për serbët në territorin e Republikës së Kosovës. ››

Jonuz Musliu, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në një prononcim për një të përditshmen kosovare  Zëri kësi soji:

››Ne kemi kërkuar që të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës së paku të vendosen në marrëdhënie reciproke me të drejtat e serbëve të Kosovës. Pra, së paku atë që përfitojnë serbët në Kosovë, ta fitojnë edhe shqiptarët në Luginë të Preshevës. ›› – është shprehur ai. Megjithatë, diplomacia kosovare, ndonëse e ka pasur rastin që ta kushtëzojë Serbinë me dhjetëra herë, duke iu referuar Preshevës dhe preshevarëve si pakicë shqiptare brenda Serbisë, nuk e ka bërë kurrë këtë. Musliu dhe Mustafa s’janë të vetmit, që duan ta peshojë preshevarin shqiptar sa serbin kosovarë në luftën diplomatike Kosovë – Serbi, edhe brenda Kosovës ka pasur zëra të tillë, por që s’i kanë takuar skenës politike. Ndërkaq skena politike, me përjashtim të rasteve të rralla, Preshevën e ka shfrytëzuar vetëm si dekor për retorikën e tyre./Gazetaere.com/

Related Articles

Back to top button