Avdijaj lë Zvicrën për Kosovën, kërkon fitore ndaj Turqisë e Senegalit

Albion Avdijaj do të jetë futbollisti që do ta vesh fanellën e Përfaqësueses së Kosovës për ndeshjet ndaj Turqisë dhe Senegalit. Ish-anëtari i skuadrave të reja zvicerane kërkon fitoren në këto dy sfida.
La Zvicrën për ta përfaqësuar vendlindjen e tij. Sulmuesi kosovar, Albion Avdijaj, do të jetë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës për dy ndeshjet e radhës miqësore të ‘verdhekaltërve’.
Avdijaj është ftuar nga përzgjedhësi Albert Bunjaku për ndeshjet ndaj Turqisë dhe Senegalit.
Në një prononcim për Express, sulmuesi 20-vjeçar shprehi kënaqësinë e tij që do të jetë pjesë e Kosovës për këto dy ndeshje, teksa mëton t’i mposht të dyja skuadrat kundërshtare.
“Jam shumë i gëzuar që do të luajë me Kosovën. Unë kam luajtur me Zvicrën, mirëpo për mua gjithmonë opsioni i parë ka qenë Kosova”, u shpreh Avdijaj.
“Sa i përket ndeshjeve, mendoj se asgjë nuk është e pamundur. Si Turqia, ashtu edhe Senegali kanë zhvilluar shumë më shumë ndeshje se ne dhe është vështirë t’i mposhtim. Gjithsesi, mendoj se me pak fat dhe nëse japim maksimumin ndoshta mund të fitojmë”, shtoi tutje sulmuesi i ri kosovar.
Ky i fundit ka qenë pjesë e Zvicrës U17, më pas U18 dhe së fundmi me U19. Në 14 paraqitje sa ka zhvilluar me të tria këto grupmosha, ai ka shënuar ter gola.
Avdijaj tani është anëtar i Grasshoppersit në Zvicër, teksa më parë ka qenë pjesë e akademisë së Wolfsburgut