Presheva pa stacion autobusi që nga viti 2012: Hulumtimi nxjerr në pah pasojat e rënda për vajzat dhe gratë e reja

Mungesa e një linje të rregullt të transportit publik ndërmjet Preshevës, Bujanocit dhe Vranjës nuk është thjesht një pengesë e udhëtimit – ajo ndikon drejtpërdrejt në mundësitë për shkollim, punësim, si dhe në qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore për banorët tanë.
Sipas një hulumtimi të kryer nga të rinjtë e “Youth Alert Platforma” me titull “Presheva pa stacion autobusi: pasojat për vajzat dhe gratë”, mungesa e infrastrukturës rrugore po e rëndon veçanërisht jetën e vajzave dhe grave të reja në rajon.
Presheva nuk ka një stacion funkcional autobusi që nga viti 2012, ndërsa nisjet e regjistruara drejt Bujanocit dhe Vranjës prej viteve nuk realizohen më. Si pasojë, qytetarët janë të detyruar të mbështeten te veturat private, taksitë apo udhëtimet alternative.
Nga gjetjet kryesore të hulumtimit veçohen:
Arsimi dhe Puna: 50% e vajzave të anketuara kanë hequr dorë nga ndonjë mundësi shkollimi apo trajnimi profesional në Bujanoc për shkak të mungesës së transportit.
Shëndetësia: 70% prej tyre kanë shtyrë apo anuluar kontrollet mjekësore e shërbimet administrative në Vranjë për të njëjtën arsye.
Siguria: 7 nga 10 pjesëmarrëse e vlerësojnë nivelin e sigurisë gjatë përdorimit të transportit alternativ me notë minimale (1 ose 2 nga 5), ndërsa gjysma prej tyre kanë anuluar aktivitetet nga frika e mungesës së një rruge të sigurt të kthimit në shtëpi.
Për përballimin e kësaj situate, të rinjtë e platformës kërkojnë me ngulm kthimin e linjës së rregullt të autobusëve Preshevë–Bujanoc–Vranje, përshtatjen e orarit me institucionet arsimore e shëndetësore, si dhe çmime më të përballueshme të biletave për nxënësit e studentët.
