Xherdan Shaqiri, i përzgjedhuri për pijen freskuese “Coca Cola”

Mu për këtë, sot (më 15 maj 2014), konkretisht në njërin nga supermarketet më të njohura të Zvicrës «Coop», në pikën e «Letzipark» në Zürich, pamë që ishin servuar si zakonisht nëpër rafte pije të ndryshme, e shihej edhe «Coca Cola», por jo si herët tjera, por tani edhe në shishe, kurse në mbështjellësin e paketimeve ishte ylli i futbollit, Xherdan Shaqiri.
I riu shumë i talentuar, ose diamanti i futbollit profesionist, Xherdan Shaqiri, ka kohë që është bërë idhull i dashamirëve të futbollit, jo vetëm Zvicër, por në gjithë Evropën e më gjerë. Ai me të drejtë ishte shpallur futbollisti i vitit në këtë shtet, kurse pas një serie lojërash brilante, Xherdani sikur e ka krijuar një gjerdan të karrierës së ndritshme të tij. Në vitin 2010, Xherdan Shaqiri është zgjedhur si futbollisti më i mirë perspektiv i Zvicrës. Po më 2010, me skuadrën e tij FC Bazel i kishte fituar dy tituj (kampionin dhe kupën), e po ashtu kishte luajtur në tri ndeshje për Kombëtaren A të Zvicrës dhe menjëherë pas kësaj e mori besimin për suksese të mëtutjeshme me reprezentacionin në botërorin «Afrika e Jugut 2010». Ndërkohë Shaqiri është bërë pjesë e pandashme e ekipit kombëtar, që e drejton Otmar Hitzfeld. Ai ka fituar edhe një titull kampioni, pastaj me reprezentacionin U-21 e ka zënë vendin e dytë në kampionatin evropian të futbollit, «Danimarka 2011». Xherdani mbase do të shndrisë mu sikur diamanti në tepihun e gjelbër, duke e ofruar artin e lojës së quajtur futboll. Na kujtohet goli i tij prej 25 metrash kundër ekipit të Bullgarisë, e po ashtu na kujtohet edhe përqafimi nga trajneri i tij…
Futbollisti i talentuar Shaqiri tashmë është përzgjedhur nga firmat e njohura për reklamimin e tyre, si: «Credit Suisse Player of the Year», nga kompania më e madhe sportive në botë «Nike», me çka emri i tij merr dimensione edhe më të mëdha, duke u bërë një simbol – idol. E tash, paraqitjet e mira te Bayern Munich dhe te Kombëtarja e Zvicrës e kanë bërë Xherdan Shaqirin figurë reklamimi të kompanisë së njohur të pijeve «Coca Cola» për tregun e rëndësishëm zviceran. Shumë të rinj e të reja, por edhe të moshuar, që ndoshta edhe nuk e kanë shumë të preferuar, e blejnë këtë pije për ta pasur dhe për t’u krenuar me suksesin e bashkëkombësit tonë, Shaqiri. E disa të moshuar, që i takuam në njërën nga kafenetë e kësaj qendre tregtare, ndër të tjera, thanë: «Kush ka menduar para njëzet vjetësh që ne mund të shohim edhe yje shqiptare duke luajtur futboll në ekipet më të njohura të botës, e të mos flasim, të shohim reklama me shqiptarë në firmat më gjigante, si «Coca Cola», «Credit Suisse Player of the Year» e «Nike». Kjo është një punë e madhe, me të cilën ne krenohemi. Kjo është Zvicra, ky shtet mik i vërtetë i shqiptarëve”. Për lexuesit tanë po e servojmë një foto, të realizuar enkas sot në Zürich të Zvicrës.