Gjykata në Strasburg regjistron padi kundër Serbisë për pasivizimin e adresave

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka regjistruar padinë e parë kundër Serbisë lidhur me pasivizimin e adresave të shqiptarëve në jug të vendit, në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Padia është ngritur nga qytetarja Teuta Fazliju, ndërsa përfaqësuesi i saj ligjor, avokati Drini Graždani, ka deklaruar se ajo është bërë për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut.
Pasivizimi i adresave është një procedurë ku Ministria e Punëve të Brendshme fshin vendbanimin e qytetarëve, duke u hequr atyre të drejta themelore si sigurimi shëndetësor, e drejta e votës dhe dokumentet personale.
Sipas përfaqësuesve shqiptarë në jug të Serbisë, kjo masë ka prekur më së shumti shqiptarët, të cilët prej vitesh ankohen për diskriminim dhe shkelje të të drejtave të tyre.
Nga ana tjetër, përfaqësues të institucioneve shtetërore në Serbi kanë deklaruar se kjo procedurë zbatohet për të gjithë qytetarët dhe se adresat mund të rikthehen përmes procedurave ligjore.
Autoritetet e zbatojnë këtë masë në rastet kur gjatë kontrolleve konstatohet se personi nuk jeton në adresën e deklaruar.
