Lajme

Paralajmërohet Beogradi, targat “Prova” edhe për automjetet e Sërbis

Delegacioni i Republikës së Kosovës në bisedimet teknike në Bruksel e ka njoftuar Bashkimin Evropian lidhur me masat që po i aplikon Serbia rreth Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë. Delegacioni kosovar i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se nëse Serbia vazhdon edhe më tej të aplikojë vendosjen e targave “Proba” për targat RKS, atëherë do të ketë masa reciproke.

“Delegacioni i Republikës së Kosovës njoftoi Bashkimin Evropian se ka vendosur ta shfrytëzojë të drejtën që sigurohet nga Marrëveshja e Lëvizjes së Lirë për të zbatuar reciprocitetin e plotë dhe ky reciprocitet përfshin çështjen e tabelave “Prova”, ku delegacioni bëri me dije se në qoftë se Serbia nuk i heq tabelat “Proba” për automjetet e Kosovës me tabelat “RKS”, atëherë Kosova do të aplikojë masa reciprociteti duke aplikuar tabela “Prova” për automjetet e Serbisë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, delegacioni i Kosovës njoftoi se do të aplikojë edhe masa tjera siç janë pagesat administrative për këto tabela, si dhe dokumentin hyrje-dalje për qytetarët e Serbisë. Delegacioni kosovar potencoi se Kosova nuk ka aplikuar këto masa duke pasur prirje që të realizojë një lëvizje vërtet të lirë sipas standardeve evropiane, mirëpo, “meqenëse Serbia me masat e saj ka vështirësuar dhe frustruar procesin e lëvizjes së lirë, atëherë Kosovës nuk i mbetet zgjidhje tjetër pos që të zbatojë reciprocitetin”.

“Ndërmjetësi i BE-së, Alexis Hupin, propozoi që kjo temë të diskutohet edhe në takimin e radhës në përpjekje që të gjitha palët të gjejnë një zgjidhje që është në interes të qytetarëve dhe që nënkupton përmirësim të lëvizjes së lirë e jo pengesa. Pala e Kosovës ishte e vendosur dhe këmbënguli që çfarëdo zgjidhje duhet të bëhet me reciprocitet”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button