Alternativa për ndryshim: Ky është sqarimi për peticionin “Ta kthejmë gjykatën”
Alternativa për ndryshim, pas paraqitjes në skenën politike në Preshevë, jo vetëm që përmes angazhimit të shtresës intelektuale deri tani apolitike filloi proceset e ndryshimit në shoqëri, por gjithashtu nxiti edhe fillimin e ndryshimit të partive politike ekzistuese të cilat i kishte zënë gjumi tashmë e shumë vite.
Duke u bërë bartëse e të gjitha proceseve politiko-shoqërore në vend, Alternativa inicoi disa aksione qytetare për realizimin dhe implementimin e të cilave mban përgjegjësi të plotë. Aksioni i fundit i Alternativës lidhur me peticionin për kthimin e gjykatës themelore në Preshevë, gjykatë e cila është larguar mu nga politika e pakontrolluar e partive ekzistuese, është një veprim jashtëzakonisht demokratik dhe një e drejtë e qytetarëve të Preshevës e cila deri më tani fatkeqësisht nuk është përdorur..
Me që ligjshmëria e kësaj iniciative është vënë në pyetje kohëve të fundit përmes mediave, ndiejmë obligim për të sqaruar opinionin dhe për të edukuar propaganduesit.
Andaj:
1. Alternativa u garanton qytetarëve të Luginës së Preshevës që çdo veprim politiko-shoqërorë që ndërrmer, është në përputhje me ligjin dhe konform të drejtës demokratike të çdo populli për realizim të drejtave të tyre elementare.
2. Alternativa në momentin që ka vendosur të mos kërkojë nga qytetari të dhënat personale si numrin amë apo numrin e letërnjoftimit, në atë moment ka dashur ti tregoj qytetarit se ajo mbron e respekton të dhënat personale të çdo individi dhe nuk lejon që ato të keqpërdoren
3. Është për tu habit, se si propaganda ku thuhet se ky peticion nuk është valid për shkak të mungesës së numrit amë apo numrit të letërnjoftimit vjen nga individ që janë aktivista në shoqërinë civile, ku njëri nga projektet që kanë implemetur është edhe projekti “Inkuadrimi i qytetarëve në jetën shoqërore dhe politike permes përfaqësimit të së drejtës për peticione dhe propozime”, nga ku është shkëputur një pjesë e përshkrimit se si duhet të duket një peticion. Shpresojmë që ky projekt të ketë arritur të edukojë opinionin në mënyrë të drejtë, sepse ata që e implementuan si duket nuk e kanë kuptuar mirë punën e tyre pasi që në po të njejtin projekt (në faqen 30 dhe 31) në mënyrë shumë precize është e shkruar se:
“Forma e peticionit nuk është e përcaktuar me ligj. Pasi që peticioni nuk është i njejtë si nisma popullore apo qytetare, forma e peticionit nuk duhet të jetë aq e “ashpër” sikurse që është me rastin e kërkesës për inicimin e nismës legjislative.Për këtë, peticioni duhet të përmbaj vetëm disa të dhëna elementare: 1) emërtimi i organit të cilit i drejtohet peticioni, 2) baza kushtetuese për paraqitjen e peticionit me kërkesën që të përgjigjet organi në peticionin e paraqitur ,3) kërkesë e paraqitur në formë të qartë, 4)sqarimi i propozimit për peticion, 5) (më e rëndësishmja) emri dhe mbiemri i nënshkruesit, nënshkrimi dhe adresa e banimit–cdo e dhënë tjetër duke e marrë parasysh formën e peticionit nuk është e nevojshme. 6.)nëse nga organi kërkohet përgjigje ndaj peticionit, të shkruhet në kërkesë, 7)emri dhe mbiemri, nënshkrimi, numri amë i personave që e kanë inicuar peticionin.(edhe për këtë pjesë jemi siguruar që të veprojmë drejtë dhe për këtë anëtarët e komisionit të themeluar nga Alternativa si inicues të peticionit i kanë dhënë edhe këto të dhëna në dokument).
Më poshtë mund të gjeni linkun ku është cituar në mënyrë të shtrembëruar nocioni i peticionit, poashtu i njejti link vërteton edhe punën e drejtë ligjore të Alternativës.
Alternativa i lut qytetarët të vazhdojnë të mbështesin peticionin, duke i siguruar se ky peticion do të përcillet aty ku duhet dhe do të kërkohet mbështetje nga të gjithe miqt tanë për përgjigje pozitive ndaj tij, dhe gjithashtu i lusim qytetarët e Preshevës të tregohen të durueshëm ndaj individëve të caktuar gjithmonë duke shpresuar se edhe ata do të përmirsohen dhe do të fillojnë të kontribojnë e jo të dëmtojnë e që edhe ata do të ndryshojnë sepse NDRYSHIMI PO VJEN!