U bë siç thanë Serbët, barrikada e Ibrit s’u hoq
Barrikada në formë të parkut e vendosur nga serbët në urën kryesore të Ibrit, e cila Mitrovicën e ndan në dy pjesë, në veri dhe në jug, nuk është larguar as të shtunën.
Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë e ka mbajtur premtimin dhe saktësisht në orën 16:00, të shtunën, ka filluar vendosjen e mburojave të metalta në të dy anët e urës. Për këmbësorët është lënë një korridor në pjesën e majtë të urës.
“Parku i paqes”, i emërtuar nga serbët pas vendosjes se tij në vend të barrikadës me zhavorr dhe të përforcuar me beton, ka mbetur pa u prekur.
Ai do të qëndrojë për shumë kohë, ndoshta edhe nuk do të largohet kurrë, edhe gjatë punimeve që do të bëhen në rivitalizimin e urës.
Në fakt, është bërë ashtu siç ishte zotuar kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.
Rakiq ka porositur nga Beogradi, të shtunën në mëngjes, se ura do të mbyllet, por “Parku i paqes” nuk do të hiqet. Këto fjalë të tij kishin mbjellë siguri të serbët e veriut të Mitrovicës, të cilët për dallim nga shqiptarët nuk janë dukur fare pranë urës.