Blerta Limani nga Presheva e risjell modën e viteve të ’60-ta të kombinuar me elemente moderne (Foto)
Pasioni i saj është dizajni tekstil, prandaj edhe këtë drejtim po e studion në ‘Akademia Evolucion’. Bëhet fjalë për Blerta Limani e cila në një intervistë për gazetën Tribuna ka treguar se ajo po e sjell kreacionin e parë, i cili është inspiruar në modën e viteve ’60-ta duke shtuar edhe elemente nga arkitektura moderne. Gjithashtu, Blerta ka folur edhe për planet e së ardhmes.
Blerta, kur ke zbuluar talentin për dizajn?
Blerta Limani: Që në moshë të vogël, nga mosha 6 ose 7 vjeçare, jam marrë me vizatime me qepje, por më shumë kjo gjë filloi të më bëhet pasion dhe fillova që t’i mësoj që të dyja më mirë, deri në momentin që fillova të profesionalizohem në këtë drejtim. Kur arrita në moshën 13 vjeçare fustanin e parë të cilin e kam bërë pas gjithë asaj kohe që praktikohesha në qepje dhe vizatim ishte një fustan për ditëlindje për mamin tim dhe pas asaj kohe çdo veshje timen e skicoja dhe e krijoja vet.
Së fundmi jeni duke realizuar edhe koleksionin e parë, na përshkruaj emocionet dhe a është duke dale gjithçka siç është planifikuar?
Blerta Limani: Koha që kam filluar ta merrem me koleksionin tim ta para ka gati 4 muaj dhe jam duke punuar intensivisht. Fatmirësisht, gjithçka po shkon për mrekulli, nuk e kam parashikuar se gjërat do te ecin kaq mire. Të shohësh veten se je duke shkuar në një rrugë që e ke ëndërruar gjithmonë, është një ndjenjë e papërshkrueshme, sepse sakrificat për këtë ëndërr që është e kamotshme kanë qenë të mëdha, por fatmirësisht kam mbështetjen maksimale për të arritur aty ku dua, dhe asaj rruge jam duke shkuar !
Çka ju ka inspiruar për këtë koleksion dhe na jep detaje të tjera?
Blerta Limani: Në përgjithësi inspirimin kryesor e marr nga arkitektura. Dhe për këtë koleksion jam inspiruar nga moda e viteve ’50 dhe ’60 duke i shtuar elemente nga arkitektura moderne, dhe jam munduar që me këtë koleksion të shfaqë diçka klasike duke i shtuar dhe ca elemente te modernes.
Jeni edhe duke studiuar, si po shkojnë studimet?
Blerta Limani: Jam absolvente në ‘Akademia Evolucion’, dhe fatmirësisht studimet po ecin për mrekulli. Jam një studente e dalluar dhe po shpresoj të diplomohem në qershor.
Çka i dallon dizajnët tua nga dizajnët e kolegëve tjerë?
Blerta Limani: Kam një stil me unik nga kolegët e mi, gjë e cila është vërejtur edhe nga profesorët të cilët ma kanë thënë personalisht këtë gjë. Frymëzimi për të krijuar një veshje me vjen zakonisht nga arkitektura dhe ndoshta kjo është ajo që i bën dizajnët e mia me unike nga koleget e mi.
Cilat janë planet e së ardhmes?
Blerta Limani: Plane për të ardhmen kam shumë, por qëllimin kryesor e kam që të arrij ëndrrën e kamotshme dhe besoj që kjo gjë do të ndodhë në të ardhmen e afërt sepse po punoj shumë për këtë gjë. Pres që të shoh veten në piedestalin më të lartë të botës se modës!