Lajme

Kosova nënshkruan dy marrëveshjet e para zyrtare me Luginën e Preshevës

Për herë të parë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Komunën e Preshevës dhe të Bujanocit për bashkëpunim në fushën e kulturës për një periudhë tri vjeçare me qëllim të përkrahjes nga ana e MKRS-së të aktiviteteve kulturore që realizohen në kuadër planit të punës të dy komunave.

Memorandumet u nënshkruan sot në kuadër të vizitës së delegacionit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i kryesuar nga zëvendëskryeministri Kujtim Shala, njëherësh ministër i MKRS-së, në Luginën e Preshevës, i shoqëruar nga zëvendësministri Rexhep Hoti dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Valdet Sadiku.

Ky bashkëpunim në fushën e kulturës mes MKRS-së dhe Komunave të Preshevës e Bujanocit parasheh zotimin e MKRS-së për mbështetje financiare me qëllim të realizimit të aktiviteteve në fushën e teatrit, arteve skenike e muzikore dhe atë të letërsisë e bibliotekarisë. Memorandumi u nënshkrua nga sekretari Veton Firzi dhe kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, përkatësisht kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi.

Në takimin që pati zëvendëskryeministri Shala me kryetarin Mustafa u shpreh se përmes këtij memorandumi MKRS sadopak mundohet të mbështesë dhe ndihmojë jetën kulturore në Preshevë, e cila është një nismë që do të hap rrugën për bashkëpunim të mëtejshëm në të ardhmen edhe në fusha tjera.

Zëvendëskryeministri u informua nga kryetari Mustafa për problemet që ballafaqohen shqiptarët e Luginës, me theks atë të kulturës dhe edukimit në shqip, si dhe padrejtësitë e diskriminimin që u bëhet atyre nga pushteti qendror, dhe ky memorandum është një nismë që hap rrugën që edhe ministritë tjera të Qeverisë së Kosovës të përkrahin komunat e Luginës së Preshevës në fushat që ato kanë në përgjegjësi. Gjithashtu, në takim u bisedua për aktivitetet konkrete kulturore që do realizohen përmes kësaj përkrahjeje të MKRS-së në Preshevë.

Shala gjithashtu ka vizituar edhe shtëpinë e kulturës “Abdulla Krashnica” ku u takua me drejtorin Naser Nuredini me të cilin diskutoi për aktivitetet që organizohen në këtë institucion kulturore.

Ndërkaq, në vizitën që ka zhvilluar në qytetin e Bujanocit, Shala u takua me kryetarin e komunës, Nagip Arifi me të cilin diskutoi për problemet që ballafaqohen shqiptarët e Luginës, me theks ata ta të Bujanocit. Ai theksoi se nënshkrimi i këtij memorandumi është i mirëseardhur ngase nevojat janë të mëdha, sidomos në fushën e librit dhe furnizimin me literaturë shqipe në Luginë. Ai mori përkrahjen e Shalës që furnizimi me libra e literaturë do të hyjë në programin vjetor të MKRS-së menjëherë dhe do të zbatohet këtë vit.

Shala takohet edhe me Musliun, Halimin e Kamberin Në kuadër të vizitës së sotme në Luginën e Preshevës, zëvendëskryeministri Kujtim Shala u takua edhe me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu dhe deputetët shqiptarë në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi e Shaip Kamberi, me të cilët diskutoi për sfidat që ballafaqohen shqiptarët e Luginës dhe thellimin e bashkëpunimit e përkrahjes nga ana e Qeverisë së Kosovës për të avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë.

Zëvendëskryeministri Kujtim Shala në Preshevë takon kreun e KKSH-së Musliu

Në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), kryetari Jonuz Musliu sot realizoi një takim me një delegacion nga Republika e Kosovës i prirë nga zv/kryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala dhe i përcjellur nga Ambasadori në Beograd i Republikës së Kosovës, Valdet Sadiku.

Musliu kërkon që Isa Mustafa para se të shkoj në Beograd të vizitoj Preshevën ose të na marrin ndonjëherë në telefon se edhe ne flasim shqip!

Kryetari Musliu paraqiti para zv/kryeministrit Shala, jo vetëm gjendjen e përgjithshme politike dhe të sigurisë, por edhe me sfidat me të cilat janë duke u përballur, KKSH dh shqiptarët e Luginën e Preshevë si dhe çështjet që presin të zgjidhen duke vërë theksin në çështjet e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtarë të gjuhës dhe shkrimit shqip si kompetenca ekskluzive dhe çështjet me rëndësi të veçantë për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

“Presim që bashkëpunimi ynë tashmë institucional të ngrihet në një nivel rajonal me rezultate konkrete, patur parasysh që Kosova është faktor tashmë i rëndësishëm i Ballkanit dhe si shtet që po dialogon në Bruksel me Beogradin e ka fuqinë e mjaftueshme për të mbështetur edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës”, theksoi Musliu dhe më tej
vazhdoi se “ne ndjejmë se kemi obligime dhe detyrime të ndërsjella andaj nuk kërkojmëas më shumë as më pak se sa reciprocitet me drejtat e serbëve në Kosovë”.

Zv/kryeministri Shala ka deklaruar se “kjo është vizita e parë në Luginën e Preshevës dhe se Qeveria e Kosovës ka gatishmërinë për të ndihmuar këtë rajon.”

“Jemi në përcjellje të gjendjes në Luginën e Preshevës, kemi gatishmërinë e plotë për të ndihmuar këtë rajon për çështjet e caktuara, dëshirojmë që nivel institucional të lidhim marrëveshje dhe memorandume ashtu siç kemi bërë me komunën e Preshevës dhe Bujanocit, sigurisht në një ardhme jo të largët do ta bëjmë edhe me Këshillin Kombëtar
Shqiptar”, theksoi Zv/kryeministri Shala.

Musliu pas këtji takimi ka pohuar s është një takim me shume se zyrtar, ishte takim dhe bisede vëllazërore me Kujtim Shalën dhe ka kërkuar Prishtina që “Isa Mustafa para se të shkoj në Beograd të vizitoj Preshevën ose te na marrin ndonjëherë në telefon se dhe të flasim shqip..”

Pasi që Musliu i kërkoj edhe një vizitë të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa që të njoftohet dhe ta shet për së afërmi realitetin e shqiptarëve të këtushëm. Zv/kryeministri Shala shprehi pajtimin që një gjë e tillë të ndodhë.

Vlen të theksohet se pas takimit përveç tjerash kryetari Musliu ndau “Mirënjohje” Zv/kryeministrit Kujtim Shala në shenjë falënderimi për vizitën e realizuar me shpresë që të konkretizohet dhe intensifikohet bashkëpunimi me institucionet e Republikës së Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button