Lajme

Doganat e Kosovës shënuan rekord në të hyra në vitin 2015

Ministri i Financave, Avduallah Hoti dhe drejtori i përgjithshëm i doganave, Lulzim Tafa, kanë paraqitur raportin vjetor për vitin 2015.

Me këtë rast, ministri Hoti tha se ministria e tij ka filluar vitin 2015 me disa vështirësi, megjithatë, sipas tij, viti është përmbyllur me sukses.

Ai theksoi se në Kosovë ekziston klimë e përshtatshme për biznes.

“Një klimë shumë e mirë e të bërit biznes është krijuar në Kosovë ndërmjet doganave dhe bizneseve, si dhe ka rënë numri i ankesave”, tha Hoti.

Duke u shprehur i sigurt se plani i punës për këtë vit do të realizohet pa ndonjë vështirësi, ai tha se ministria e tij për 2016 ka një plan shumë ambicioz që kalon mbi një miliardë euro.

Edhe drejtori i doganave, Lulzim Rafuna shpalosi raportin e punës për vitin 2015. Ai tha se në vitin e kaluar doganat kanë shënuar rekord në të hyra, pasi kanë arrit të mbledhin 951 milionë.

“Kjo është hera e parë që dogana e kalon projeksionin, pasi kemi dalë me një rezultat prej 101%. Numri i ankesave ka qenë 1320. Dogana e ka arritur standardin botëror në menaxhimin fiskal”, tha ai.

Sipas tij, nëse qeveria investon një cent në dogana, kjo e fundit i kthen 99 centë të hyra doganore.

Ndërsa, për vitin 2016, Tafa tha se objektivat e doganës janë zhvillimi tutje i një sistemi modern dhe efikas për mbledhjen e të hyrave, ofrimi i lehtësirave doganore, mbrojtja e qytetarëve të Kosovës nga importi i mallrave të ndaluara, lufta efikase kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës e të tjera.

Po ashtu, gjatë vitit 2016, Rafuna përmendi sfidat me të cilat do të përballet dogana, e një ndër sfidat gjatë këtij viti është edhe MSA, që sipas tij, prodhon dy lloj efekte materiale dhe procedurale.

Related Articles

Back to top button