QSA përkrahë sportin në Preshevë, dhuron dyshekë për stërvitje klubit të karatesë “Lion”
Në kuadër të projektit “Solidaritet me sportin preshevar”, në ambientet e sallës së edukatës fizike pranë shkollës së mesme teknike ”Presheva” në Preshevë u bë dorëzimi i donacionit nga Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit në Preshevë – dyshekët (Tatami) me sipërfaqe të përgjithshme 49 m2 (7x7m).
Qëllim i realizimit të projektit është përmirësimi i infrastrukturës së nevojshme për Klubin e karatesë “Lion”, gjegjësisht mundësimi i kushteve normale për stërvitje sa më komode për kadetët e rinj preshevar.
QSA duke i vlerësuar lartë përpjektjet e Klubit të karatesë “Lion”, për nxitjen e të rinjëve për t’u marrë me sport, si dhe rezultatet e deritanishme të arritura në gara të nivelit rajonal e ndërkombëtar, vendosi t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Klubit të karatesë për blerjen e dyshekëve, donacion të cilin sapo e realizuam.
QSA është e vetëdijshme që ky donacion ka efekt të shumëfishtë. Përveç mundësimit të zbulimit dhe nxjerrjes së talentëve të rinj në këtë sport marcial, përmes të cilit bëhet promovimi i vendit tonë në rajon e gjetiu, QSA gjithashtu konsideron që me përkrahjen e sportit evitojmë shumë fenomene negative në shoqëri.
Të përkrahësh sportin, do të thotë të përkrahësh shëndetin, të aftësosh të rinjtë, të ngrisësh moralin e rinisë, në anën tjetër të luftosh veset shoqërore sidomos tek të rinjtë, si bixhozin, alkoolizmin, narkomaninë, vjedhjet e veset tjera shoqërore.
Këta të rinj dhe të reja që stërviten në kuadër të Klubit të karatesë “Lions”, përveç mbrojtjes së ngjyrave të tyre, njëkohësisht janë duke shërbyer si ambasadorët më të mirë të vendit tonë.
Me angazhimin dhe rezultateve të tyre, këta po përcjellin mesazhin më të mirë për Preshevën, pa folur fare.
QSA inkurajon të rinjtë preshevarë të merren me sport, çfarëdo discipline qofshina ato. Jemi të vetëdijshëm për mundësitë që n’a i ofron vendi ynë, por të marrim shembull Klubin e karatesë “Lion”, të cilët kanë filluar nga 0-ja dhe kanë qenë këmbëngulës në qëllimin e tyre që me punë serioze dhe të vazhdueshme, të nxjerrin talenta të rinj dhe të korrin rezultate të konsiderueshme në gara të ndryshme.
Rinia është pasuria më e çmuar e vendit tonë e cila garanton të ardhmen e vendit tonë, për të cilët duhet të mobilizohemi të gjithë bashkërisht të ruajmë këtë pasuri, duke e përkrahur atë, edukuar, ndihmuar, udhëzuar dhe investuar për të.
Me rastin e pranim – dorëzimit të donacionit, u bë nënshkrimi i Kontratës mes udhëheqësve të QSA Preshevë dhe të Klubit të Karatesë “Lion”, përmes së cilës u zyrtarizuan obligimet e dy palëve nënshkruese.
Vlera e donacionit për blerjen e dyshekëve kapë shumën prej 1,100 euro, shumë kjo e cila u sigurua nga Qendrat tona në diasporë – Zvicër, Gjermani e Belgjikë.
Gjithashtu falë kontributit të bashkatdhetarëve tanë, QSA po realizon një sërë projektesh nga sfera humanitare e sociale në Luginë, pa lënë anash dhe sferën e sportit dhe atë të trashëgimisë sonë kulturore e kombëtare.
QSA i uron Klubit të karatesë “Lion” për sigurimin infrastrukturën e re (pra dyshekët), me dëshirën më të madhe që në të ardhmen do të korrin suksese edhe më të mëdha.
Në shenjë falënderimi për donacionin e dhuruar, Klubi i karatesë “Lion” ndau mirënjohje për Qendrat e QSA – financuese të projektit në fjalë.