Lajme

Sadriu: Mbështesë listën e Zukorliqit, ai ka hapur universitetin dhe medresenë në Preshevë (video)

Kujtim Sadriu, nga Presheva, kryetar i organizatës Qendra për Hulumtim dhe Monitorim do të jetë kandidat për deputet republikan në zgjedhjet nacionale në Serbi që do të mbahen më 24 prill, raporton Titulli.com.

Sadriu është kandidat i listës “Muamer Zukorliq – Për pajtim”, pasi me Bashkësinë Demokratike të Boshnjakëve të Sanxhakut ka nënshkruar një marrëveshje për mbështetje të kësaj liste.

Ai thotë që në zgjedhjet e kaluara ka qenë pjesë e Partisë Liberale Demokratike të Çedomir Jovanoviqit, por në këto zgjedhje do të mbështes Zukorliqin sepse ka kontribuar për Preshevën.

“Unë kam dal jashtë rrethit të partive politike shqiptare, sepse kështu kam kontribuar më tepër. Me Muamer Zukorliqin kemi hapur në Preshevë degën e Universitetit Ndërkombëtar të Novi Pazarit dhe medresenë, dhe e kam pa të arsyeshme të mbështes listën e tij”, është shprehur Sadriu për Titulli.com.

Ai thekson se shqiptarët përveç në parlament, duhet të jenë edhe pjesë e qeverisë, duke kritikuar ashpër pushtetet lokale të këtushme.

“Shqiptarët duhet të jenë pjesë e qeverisë së Beogradit, sepse në Luginë funksionon ligji i partive dhe klaneve politike. Mendoj se duhet marrë pjesë në qeveri për të ndal këto dukuri negative. Të ndalim korrupsionin dhe keqpërdorimin e buxheteve komunale”, shton Sadriu.

Përveç Sadriut, në zgjedhje parlamentare merr pjesë Partia për Veprim Demorkatik, si subjekti i vetëm politik shqiptar nga Lugina e Preshevës.

Related Articles

Back to top button