Reagon Sadriu: Numri i projekteve të fituara i pushtetit të kaluar është mjaft i madh
Në një letër drejtuar medieve dhe të postuar në profilin privat të Facebook, Ish koordinator i Zyrës për zhvillim ekonomik lokal dhe Anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike Shqiptare Ilir Sadriu shkruan:
Jam thellësisht i indinjuar nga paraqitja e kryetarit “praktik” dhe ” pragmatik” të komunës së Preshevës në emisionin e mbrëmshëm të organizuar nga RTV Presheva me rastin e 100 ditëshit të qeverisjes lokale.
Në jetën tonë të përditshme jemi mësuar të dëgjojmë konstatime që më shumë janë fjalë-rrokopujë (keq e mos më keq) se vërtetësi të ligjshme të jetës. Thuhet, për shembull, e vërteta është e hidhur. E vërteta është e mirë, por dhemb, është helm i hidhur. Dhe, këtë konstatim e themi pa hezitim, edhe në biseda, edhe në shkrime, kudo. Për kënd mund të jetë e VËRTETA e hidhur? Vetëm për mashtruesin, për askënd tjetër.
Prandaj do të mundohem t’i paraqes disa të vërteta të hidhura të ndodhura me pushtetin lokal në periudhën 100 ditore të funksionimit të tij dhe disa të vërteta nga të pavërtetat që u thanë mbrëmë nga kryetari i komunës së Preshevës!
Se ka filluar mbrapsht qeverisja lokale në komunën e Preshevës, shihet qartë nga fillimi i ditës së parë të marrjes së mandatit të kryetarit të komunës së Preshevës, ku më gjestin pritjes “pragmatike” të punëtorëve të administratës komunale dhe vizitave të bëra zyrtarëve komunal, kryetari i komunës njëherit kryetari i Alternativës për Ndryshim së bashku me kryesinë e partisë së tij dhe aktivistë të tjerë, dëshmuan se “Ndryshimi” i trumbetuar për depolitizim ka qenë një TUKJE (të shfaqësh jashtë atë çfarë nuk e posedon në brendësi) parazgjedhore.
I entuziazmuar nga pozita e kryetarit të komunës, në hapësirën publike para komunës së Preshevës të njëjtën ditë organizoi përvjetorin e themelimit të subjektit të vet, organizim ky që asnjë subjekt deri më tani nuk e kishte praktikuar para objektit të komunës !
Se gjithçka që është thënë në fushatën zgjedhore është e kundërt me atë çfarë po ndodhë dhe se ka qenë një farsë elektorale, dëshmon fakti se edhe pas 100 ditë qeverisje pa koncept dhe ide të qarta, vazhdohet me akuzën se pushtetet e mëparshme thuaja asgjë nuk kanë bërë, duke i mohuar në tërësi të gjitha zhvillimet e ndodhura në këtë periudhë 25 vjeçare duke përfshi marrëdhëniet e tërësishme të shoqërisë si, politika, arsimi, shëndetësia, kultura, dhe gjithçka që na rrethon thuaja se kanë qenë primitive dhe të dështuara.
Me angazhimin e punëtorëve të rinjë në administratën komunale, duke mos pasur mundësi të thurrjes së kontratave të punës dhe ushtrimin vullnetar të funksioneve pa zbatimin e konkurseve, krijuan në logjikën e tyre pershtypjen sikurse komunën e Preshevës e themeluan rishtazi.
Të pavërtetat gjatë emisionit të mbrëmshëm!
Ndërmjet tjerash nga moderatorja e emisionit (anëtarja e Këshillit komunal) u përmend si e arritur e madhe asfaltimi i rrugës 15. Nëntori (ish rruga Magjistrale), ku kryetari satirik deklaron se nuk ka pasur asnjë iniciativë për rregullimin e kësaj rruge, ku falë “pragmatizmit ” të tij është arritur që kjo rrugë të asfaltohet!
E vërteta është se kërkesa për rregullimin e kësaj rruge ka pasur në vazhdimësi dhe se drafti i projekt-dokumentacionit të kësaj rruge i cili përfshin rikonstruktimin e tërësishëm të saj (zgjerimin, kanalizimet atmosferike, kabllot optike, ndriçimin publik etj. ) qëndron në ndërmarrjen për rrugë po ashtu edhe në komunën e Preshevës (dëshmi kërkesat e bëra në ndërmarrjen për rrugë)
Kostoja e asfaltimit të kësaj rruge e realizuar nga ndërmarrja e rrugëve duhet të jetë rreth 200.000 euro dhe të lejohet që të bëhet në këtë mënyrë pa shikuar se çfarë është planifikuar më planin urbanistik të komunës së Preshevës dhe cilat ishin nismat që kishte ndërmarrë komuna është e turpshme!
Në mes tjerash u përmend se Zyra për zhvillim ekonomik lokal për 10 vite nuk e ka bërë asnjë projekt! I kujtoj se Zyra për zhvillim ekonomik lokal është themeluar 8 vite më parë, pra në vitin 2008, ku numri i projekteve të fituara është mjaft i madhë, po u’a përmendi këto të fundit që jeni duke i realizuar falë angazhimit të zyrës për zhvillim:
– projekti i kabllimit të rrjetit të tensionit të mesëm që shpie për Zonën Industriale (I fituar nga ministria e ekonomisë, )
– projekti i përpiluar për përfshirjen e punëtorëve për punë publike, marrëveshjen të cilën e ke nënshkruar më 1 qershor me Entin për punësim,
– projekti i Sistemit Informativ Gjeografik (GIS), i fituar nga Progresi Evropian,
-projekti i sanimit të institucioneve shkollore nga ana e Bankës Botërore dedikuar komunave të prekura nga fluksi i refugjatëve.
Krejt në fund, Mjaft më! Duhet të ndalojë njëherë e përgjithmonë nëpërkëmbja e dinjitetit njerëzor dhe profesional ndaj secilit individ!
Ilir Sadriu,
Ish koordinator i Zyrës për zhvillim ekonomik lokal
Anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike Shqiptare