Reagon Kryetarja e Komunës së Preshevës – Ardita Sinani
Në portalin “Presheva.com” sot u publikua informata me titull “Ministria e ekonomisë: Riza Halimi tentoi t’a pengoj hapjen e fabrikës “Solid” ” me të cilën u vazhdua me fushatën shpifëse kundër Partisë për Veprim Demokratik, kryetarit të saj dhe kryetares së komunës.
Kjo informatë, që në realitet është dezinformatë flagrante, është e pëcjellur me një intervisë të porositur me prapavi të mbrapshtë që ka për qëllim diskreditimiin e udhëheqjes së re të pushtetit lokal në Preshevë.
Në këtë lojë intrigante çuditërisht është involvuar edhe sekretari shtetëror i Ministrisë së ekonomisë nga Surdulica, i cili fillimisht deklaron se nuk e di sakt kush, por përfaqësuesit e pushtetit lokal kanë tentuar t’a ndalojnë këtë projekt, ndërsa më vonë me insistimin dhe sugjerimin e intervistuesit e përmend Riza Halimin (që nuk është pjesë e pushtetit lokal) dhe kryetaren e komunës, për të cilën thot se nuk ia mban mend emrin.
Është shumë karakteristike se sekretari shtetëror Stefanoviq është total kontraverz duke deklaruar njëherë se pushteti lokal nuk ka asnjë kompetencë për hapjen e kësaj fabrike e mandej duke i harruar këto deklarime vazhdon të thurrë lëvdata për ish kryetarin e komunës për kontributin e dhënë në këtë drejtim.
Është kulminante hipokrizia e këtij përfaqësuesi të Ministrisë kur deklaron se përpjekjen dhe idenë e shtetit që ky investitor të filloj projektin e tij nuk mund t’a ndalë politika lokale!
Është e qartë se njësoj si me informatën e 31 marsit edhe kësaj rradhe qëllimisht po tentohet të krijohet pakënaqësi me udhëheqjen e re duke shpërndarë dezinformata për çështjet më të rëndësishme jetësore.
Natyrisht e vërteta për këtë çështje është krejt tjetër dhe në çdo moment për çdo të interesuar, me fakte mund të dëshmohet si në vijim.
Unë në funksionin e kryetares së komunës lidhur me këtë çështje kam pasur bisedë në Ministrinë e ekonomisë, me qëllim të kërkimit të informacioneve dhe dokumenteve lidhur me kompaninë “Solid” dhe “Metalka Majur”. Kjo bisedë ishte e domosdoshme pasi ish kryetari kishte refuzuar pranim dorëzimin e funksionit dhe nuk kishte lënë asnjë dokument në kabinetin e kryetarit.
Ndërsa paraprakisht për këtë çështje edhe me shkrim iu drejtova Ministrisë së ekonomisë dhe Agjencionit për licencimin e drejtorëve që udhëheqin procedurat e likuidimit.
Kur nga këto instanca u sigurua Kontrata për dhënien me qera të hapësirës afariste të datës 29.03.2017, të nënshkruar nga drejtori likvidues, Mirko Borovçanin dhe pronari i kompanisë “Solid” Shefqet Kuqi u pa se përveç obligimeve tjera kjo kompani ka marrë obligim të paguaj shtetit në emër të qerasë 1.500 Euro në muaj. Ndërsa nga Memorandumi i partneritetit i datës 21.12.2016 të nënshkruar nga ana e ish kryetarit të komunës, Shqiprim Arifi dhe pronarit të kompanisë “Solid”, shihet se obligimin për pagesën e qerasë prej 1.500 Euro e merr komuna e Preshevës.
Nga këto dy dokumente është shumë e qartë se Ministria, përkatësisht shteti nuk merr asnjë obligim për t’a ndihmuar hapjen e këtij kapaciteti prodhues, madje del se komuna e Preshevës si komunë më e pazhvilluar duhet të paguaj ministrisë 1.500 Euro në muaj edhe atë në kohën kur shteti në shumë komuna tjera siguron subvencione prej 5.000 e deri në 10.000 Euro për një vend të ri të punës. Shembullin më të freskët e kemi investimin e një kompanie turke në Vladiçki Han, ku qeveria është duke siguruar 4.7 milion Euro subvencione!
Nga këto fakte dhe nga shkresat e dërguara, të cilat po e ilustroj këtë reagim, sikur edhe nga deklaratat e mija të paraqitura për opinion në konferencën e përbashkët me pronarin e kompanisë “Solid” është shumë e qartë se që nga 10 marsi kur jam zgjedhur në funksionin e kryetares së komunës me të gjithë forcën jam e përkushtuar për t’i përkrahur të gjitha bizneset, që janë të gatshëm për bashkëpunim me pushtetin lokal, për hapjen e vendeve të reja të punës. Në këtë drejtim janë zhvilluar edhe bisedat në Ministrinë e ekonomisë, prej të cilës kam kërkuar dhe me këmbëngulje do të kërkoj që edhe Presheva të trajtohet si Vlladiçki Hani dhe komunat tjera.
1. Memorandumi bashkëpunimit mes Komunës së Preshevës dhe kompanisë “Solid”
2. Kontrata për qiramarrje mes kompanisë “Solid” dhe Agjensionit
3. Shkresa e 29 marsit për Ministrinë e ekonomisë
4. Shkresa e 29 marsit për Agjensionin
5. Shkresa e 31 marsit për Ministrinë e ekonomisë
6. Shkresa e 31 marsit për Ministrinë e ekonomisë.