Lajme

Qorrsokaku i kotesise apo ringjallja e shpreses per ndryshime pozitive…

Ska se si të pëlqehen mburravecët e shumtë në struktura të pushtetit apo të shoqërisë sonë sot, një masë përfituesish, uzurpatorë të sistemit përfitues në kurriz të shumicës e pasurisë së vendit, sidomos ata që e konservojnë këtë pasuri të plaçkitur duke penguar zhvillimin e duke shtuar varfërinë e shumicës.

Të tillët vijnë (kanë arritur) lehtë në struktura shteti vendimmarrës, si varrmihës të vet shtetit, për ta shndërruar në gërmadhë, me shumicën e mbetur në izolim getoje, të zhveshur nga çdo mundësi për ndryshime pozitive, të cilat nuk vijnë nga pritjet dhe iluzionet nga subjekte me individë e struktura të një lloji, të dhjamosur nga injoranca e organizuar uzurpatore e sistemit, ushqyes të së keqes.

Ende në horizont nuk shihet drita e shpresës dhe besimit për tejkalimin e këtij konglomerati të korruptuar politik subjektesh ekzistuese pa dallim, me gjithë disa përpjekjesh individuale, por ende pa mbulesë dhe pa ngjallje besimi të humbur nga demagogjia e premtimeve të rreme…

Subjektet ekzistuese, si ngrehina uzurpatorësh, mburravecësh e abuzuesish të pangopshëm, duke u nisur nga përfaqësuesit e padenjë të Kuvendit, e kanë gjetur terrenin e përshtatshëm, shoqërinë e lëndueshme lehtësisht dhe sistemin politik antidemokratik dhe abuzues që u mundëson ta rrjepin vendin e tallen me shoqërinë, në garë të pa ndalur për sabotim të shtetndërtimit.

Vendit dhe shoqërisë sonë i duhet rilindja për rimëkëmbje, vullneti për ringjallje të shpresës, çlirim nga prangat uzurpatore të sistemit uzurpator dhe uzurpatorëve të sistemit, pa dallim pozite a opozite, të krijuar gjoja me zgjedhje të lira e demokratike. Shoqëria duhet të kërkojë e gjejë rrugën e ndryshimit, përmes ndryshimit të këtij sistemi destruktiv të shtetit dhe shoqërisë, përmes kritereve të funksionimit të përgjegjshëm të partive politike, përmes ligjeve që i hapin rrugë dhe mbrojnë vlerat qytetare dhe shtetndërtuese të Kosovës, duke ua mbyllur derën subjekteve dhe individëve që e bëjnë të kundërtën, duke i hequr nga gara për pushtet – përndryshe vendi do të vazhdojë të përpëlitet në vorbullën e kotësisë dhe degjenerimit të mëtejmë shoqëror. Vendi e shoqëria kanë nevojë për veprimtarë të zellshëm, që nuk u mungojnë, që dijnë të punojnë në shembullin e bletëve që u rezistojnë grejzave gllabëruese kur ia mësyjnë mjaltit në kosheren e tyre kolektive. Kështu vie ndryshimi i vërtetë, pozitiv dhe i shëndetshëm, i sistemit për shoqërinë e shtetin, i merituar dhe i denjë për kauza të vërteta, origjinale, triumfuese përballë improvizimeve dhe kauzave false, armike të vetvetes dhe të vet shumicës.

(F.A.)

Related Articles

Back to top button