Qentë endacakë në rrugën e Karposhit, rrezik për qytetarët (Video)
Përkundër veprimeve të herëpashershme që merren për të eliminuar një rrezik të mundshëm për qytetarë, nga qentë endacakë, ata në Komunën e Preshevës përherë bëhen temë aktuale. Kjo, për faktin se qentë endacakë rrugëve të komunës kanë kthyer shqetësimin e qytetarëve, për rrezikun prej tyre.
Rreziku vije sidomos në orët e mëngjesit apo në mbrëmje dhe më të rrezikuarit janë nxënësit apo edhe kalimtarët, ata që shkojnë herët në punë, apo edhe kthehen vonë në shtëpitë e tyre. E përjashtim nga ky rrezik nuk bëjnë as lagjet në qytet, por as fshatrat përreth. Edhe kjo video e dërguar në redaksinë e presheva.al e bërë në mëngjes, në rrugën e Karposhit, është tregues për rrezikshmërinë e përhershme që paraqesin qentë endacakë, sidomos kur janë në grup.
Ndërkohë, Komuna e Preshevës duket se nuk ka ndonjë “ilaç” për këtë punë. Dikur vriteshin qentë endacak, si preventivë për t’u ruajtur jeta e qytetarit, pastaj u provua me trajtimin human të tyre duke u kapur dhe dërguar në strehimore, por që nuk zgjati shumë, pasi si duket nuk ka gatishmëri prej përgjegjësve për të ndarë mjete më shumë për një projekt të tillë, që në mënyrë permanente do ta largonte këtë rrezik nga rruga.
Trajtimi human i qenve, duke filluar nga kapja, e deri tek strehimi i tyre në strehimore, ku pastaj duhet të bëhet mirëmbajtja, ushqimi, mjekimi, rehabilitimi, sterilizimi, pastrimi, kastrimi, etj, duket se ka kosto, e që institucionet relevante, tani për tani, nuk po tregohen të gatshme për të siguruar mjete për këtë çështje.
Përndryshe, deri sa të merret ndonjë masë adekuate, qytetarëve u mbetet të kenë kujdes e të ruhen vet, t’i shoqërojnë fëmijët e tyre në shkollë, por edhe kur ta kenë ‘zorin” patjetër për të kaluar në një rrugë ku ka prani të qenve endacakë, “të egërsuar” të kthehen mbrapa. /Presheva.AL/